Vjen reagimi i ashpër i Amerikës për Serbinë në lidhje me Kosovën

Aktuale May 09, 2018 - 23:34
Amerika i reagon Serbisë për Kosovën

Anulimi i ftesave për deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ilir Deda, për pjesëmarrje në një konferencë të organizuar në Serbi nga Kuvendi i atjeshëm, dhe ndalimi i hyrjes së karateistëve kosovarë në Serbi, ku ata do të duhej të merrnin pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, ka nxitur reagime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Demokratët e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për këtë veprim të Serbisë, që besohet të jetë bërë nga trysnia e ushtruar nga ultra-nacionalisti, Vojisllav Sheshel, i dënuar për krime lufte.

LEXO EDHE: Deda: Serbia sot tregoi se s'do normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

Nëpërmjet dy “cicërimave” në llogarinë e tyre zyrtare në rrjetin social, Twitter, në internet, demokratët e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, të cilët udhëhiqen nga Eliot Engel, i kanë cilësuar si shembuj të mendjengushtësisë veprimet e sotme të Serbisë.

"Nëse Serbia dëshiron të arrijë integrimin evropian, duhet të ndalë këto taktika fëmijërore dhe të pranojë pavarësinë dhe sovranitetin e fqinjes së saj, Kosovës", thuhet në reagimin e demokratëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. /Express/

Image

Image

Image