MPJ Brukselit: Beogradi po dëshmon frymën anti-evropian ndaj Kosovës e Evropës

Aktuale May 09, 2018 - 22:57
MPJ ankohet në Bruksel për anulimin e ftesës nga Serbia për deputetët kosovarë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar pas anulimit të ftesave për deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ilir Deda, për pjesëmarrje në një konferencë në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe e konsideron të papranueshme anulimin e pjesëmarrjes së Kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, znj Vjosa Osmani-Sadriu, dhe deputetit, Ilir Deda, në konferencën e titulluar “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”, e cila ishte paraparë të mbahet me 11 dhe 2 maj, 2018 në Beograd nga ana e Parlamentit të Serbisë”, thuhet në reagimin e MPJ-së, transmeton "Zeri.info".

“Ky akt i Parlamentit serb nën presionin e ultra-nacionalistit, Vojisllav Sheshel, i cili është dënuar për krime lufte tregon edhe njëherë mungesën e vullnetit në Beograd për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zhvillimin e bashkëpunim rajonal”, thekson Ministria.

MPJ ka thënë se “është për keqardhje që pikërisht në Ditën e Evropës, autoritetet në Beograd kanë treguar sjelljen e tyre anti-evropiane ndaj Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar”.

MPJ përmes këtij njoftimi ka bërë të ditur se do do ta shtrojë këtë çështje para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian si lehtësues të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /ZËRI/