Spitalet, pa aparatura

Aktuale May 08, 2018 - 08:56
Lexoni më shumë detaje

Pacientëve, të cilët shkojnë për trajtim në spitale të qyteteve të ndryshme të Kosovës, shpeshherë u referohet që të vijnë për trajtim në QKUK për shkak se u mungojnë aparaturat, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kosova ka vetëm një aparaturë të rezonancës magnetike, nga e cila varen gjithë banorët e vendit.

Drejtorë të spitaleve të përgjithshme në Kosovë kanë treguar për gazetënZërise ndonëse i mungojnë disa aparatura, edhe ato pajisje mjekësore që i posedojnë janë të vjetruara dhe të amortizuara.

Për shkak të buxhetit të kufizuar për spitalet e përgjithshme edhe këtë vit nuk mund t’i blejnë të gjitha ato aparatura, prandaj duhet të caktojnë si prioritet vetëm pajisjet e nevojshme.

Buxheti për pajisje mjekësore dhe për aparatura është i kufizuar

LEXO EDHE: Rezolutat e pazbatuara të Kuvendit

Ish-kandidati për drejtor të SHSKUK-së, njëherësh drejtori i Shërbimit Klinik të Mjekësisë Nukleare në QKUK, Fakiri Spahiu, ka thënë për gazetën Zëri se 950.000 euro janë ndarë për pajisje mjekësore për spitalet regjionale.

“Buxheti i SHSKUK-së për pajisje mjekësore këtë vit është 2.5 milionë euro për QKUK-në dhe 950.000 euro për spitalet regjionale të cilat janë në kuadër të SHSKUK-së. Këto mjete janë duke u shfrytëzuar për blerjen e pajisjeve të reja dhe për funksionalizimin e atyre pajisjeve të cilat mund të rregullohen për shkak të ndonjë defekti”, ka thënë ai.

Sipas tij, buxheti është shumë i kufizuar.

“Prioritetet i kemi zgjedhur së bashku me klinikat me të cilat ne i kemi caktuar prioritetet kryesore të pajisjeve që janë të domosdoshme për këtë periudhë, pra gjatë vitit 2018, pasi buxheti është shumë i kufizuar”, ka theksuar ai.

Vetëm një rezonancë magnetike në Kosovë

Anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka treguar për “Zërin” se në spitale ka mungesa të aparaturave të cilat janë të domosdoshme për qytetarët. Sipas tij, duhet të ndahet më shumë buxhet për aparatura.

“Kemi mungesë në aspektin diagnostikues dhe këtu hyjnë Radiologjia dhe Biokimia. Kemi mungesë të aparaturave të cilat janë të domosdoshme dhe të nevojshme, sidomos në diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme dhe unë konsideroj që duhet ta ndërrojnë qasjen pak edhe Qeveria, edhe Ministria që edhe SHSKUK-së t’i jepen mjete më shumë sepse këtu është ajo vija e parë frontale ku zbulohen edhe sëmundjet e hapet rruga sa më lehtë që të mjekohet ajo sëmundje dhe problemet të mënjanohen”, ka thënë ai.

Veseli ka treguar se në Kosovë është vetëm një rezonancë magnetike.

“Gati të gjitha spitalet çalojnë për arsye se rëntgen e CT diku s’ka fare. Në krejt Kosovën është vetëm një rezonancë, e cila e ka të vështirë ta përballojë gjithë atë fluks të madh të pacientëve që vijnë me nevoja dhe me kërkesa, sidomos të theksoj atë se qytetarët e kanë gjendjen e rëndë ekonomike, kanë një standard të ulët dhe ka prej tyre që s’kanë të punësuar fare, e kanë të vështirë ta përballojnë derisa nuk fillojnë sigurimet shëndetësore”, ka thënë ai.

Buxheti i ndarë nuk i plotëson nevojat e spitalit të Prizrenit dhe të Pejës

Shefajet Berisha, shef i personelit dhe i komunikimit në Spitalin e Prizrenit, ka treguar për “Zërin” se buxheti i ndarë për këtë spital është i kufizuar dhe nuk i plotëson kërkesat e nevojat e spitalit.

Sipas tij, ka problem të furnizimit me barna dhe me aparatura.

“Nuk kemi furnizim me kohë me barna, me material shpenzues, si dhe kemi mungesa të aparaturës. Ne bëjmë kërkesat me kohë, ndërsa furnizimi varet nga zyrat përkatëse në SHSKUK dhe në MSH”, ka thënë ai.

Berisha ka deklaruar se spitali ka nevojë edhe për ndërrimin e aparaturave, të cilat janë të vjetërsuara.

“Aparatura është e vjetërsuar dhe e amortizuar. Kemi nevojë për ndërrimin e aparaturës ekzistuese, si dhe për pajisjen me aparaturë të re, si: MRI, CT, laparaskop, mamografi, skopi-grafi, ultrazë të teknologjisë më të re”, ka thënë ai.

Me probleme të tilla po ballafaqohet edhe Spitali i Pejës. Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Skender Dreshaj, ka thënë për “Zërin” se për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm nuk mund t’i përcjellin të arriturat e teknologjisë.

“Disponojmë me aparaturë standarde, përgjithësisht është në funksion. Ka vështirësi materiale për mirëmbajtje të rregullt sipas standardeve. Mundësitë materiale nuk krijojnë mundësi për përcjelljen e të arriturave teknologjike në këtë sferë”, ka thënë ai.

Jemi duke investuar në aparatura

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se kanë një buxhet prej 10.5 milionë eurosh në lidhje me projekte të ndryshme për spitalet.

“SHSKUK-ja sivjet për investime kapitale ka një buxhet prej 10.5 milionë eurosh, ku bëjnë pjesë projekte të shumta për këto spitale (infrastrukturë dhe pajisje), sikurse edhe MSH-ja që për shpenzime kapitale ka një buxhet prej 14.3 milionë eurosh (një pjesë e të cilit do të investohet në pajisje dhe në infrastrukturë). Nuk duhet harruar këtu edhe kontributin e donatorëve - partnerëve në shëndetësi”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, janë duke u bërë investime në pajisje, por edhe po rritet stafi profesional.

“Sa u përket investimeve për përmirësim të kushteve në spitale të përgjithshme po bëhen investime në vazhdimësi në pajisje dhe në kuadër me qëllim që infrastruktura të përmirësohet dhe stafi profesional të rritet”, ka thënë ai.

Ndërsa në lidhje me referimin e pacientëve nga spitalet e përgjithshme në QKUK, kjo gjë sipas tyre është edhe e rregulluar me ligj.

“Neni 24 thotë se në rastin kur institucioni i kujdesit shëndetësor nuk është në gjendje që të ofrojë kujdesin e duhur shëndetësor brenda fushëveprimit të tij, ai është i obliguar që të udhëzojë qytetarin në institucionin tjetër shëndetësor që është në gjendje të trajtojë rastin e veçantë, i shoqëruar me dokumentacionin përkatës medicinal. Pra, u mbetet menaxherëve të institucioneve që ta mbikëqyrin këtë aspekt të referimit të rasteve dhe mjekëve ta zbatojnë në përgjegjësi”, thuhet nga ata.