Rezolutat e pazbatuara të Kuvendit

Aktuale May 08, 2018 - 08:38
Lexoni më shumë detaje

Rezolutat e miratuara nga Kuvendi nuk po gjejnë zbatim në praktikë, duke mbetur kështu vetëm zotim në letër. Një fat të tillë pritet ta kenë edhe tri rezolutat e miratuara këtë vit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në këtë vit Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri rezoluta: për të Pagjeturit, për Ambientin dhe për Miratimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Por edhe këto rezoluta pritet ta kenë fatin e dhjetëra rezolutave të miratuara në të kaluarën, të cilat kanë mbetur në sirtarët e Kuvendit dhe të Qeverisë pa gjetur zbatim në praktikë, shkruan më tutje "Zëri".

Opozitarët fajësojnë Qeverinë për mosrespektim të vendimeve të Kuvendit, ndërsa përfaqësuesit e koalicionit qeverisës thonë se edhe për këtë çështje “faji është jetim”.

LEXO EDHE: Nuk ka zgjedhje nga tryezat e partive

Sipas tyre, mungesa e një mekanizmi zbatueshmërie të rezolutave të miratuara në Kuvend ka bërë që institucionet përkatëse, të cilave u adresohen këto rezoluta, të mos i implementojnë ato.

Haliti: Mekanizmi i zbatueshmërisë së rezolutave nuk funksionon

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, për Zërin ka thënë që rezolutat e miratuara në Kuvend nuk kanë mekanizëm zbatueshmërie dhe shumica e tyre bëhen vetëm sa për ta kaluar kohën në debat.

“Mekanizmi i zbatueshmërisë së rezolutave nuk funksionon, domethënë ashtu siç nuk ekziston mekanizmi i zbatueshmërisë së ligjeve, ashtu edhe rezolutat nuk kanë mekanizëm zbatues, kështu që shumica e tyre janë miratuar sa për të thënë dhe sa për ta kaluar kohën në debat e pastaj kanë ngelur ashtu siç janë miratuar, pa u zbatuar”, ka thënë Haliti.

Ndërsa i pyetur se përgjegjësi e kujt është t’i implementojë këto rezoluta të miratuara në Kuvend, Haliti ka thënë që përderisa miratimi i tyre nuk parashihet me ligj, atëherë nuk mund të fajësohet askush.

“Faji është jetim, sepse miratimi i rezolutave nuk është i rregulluar me ligj e as me rregullore mbi atë se a ka Qeveria obligim ose institucioni përkatës për të cilin miratohet rezoluta që t’i zbatojë kërkesat e parashtruara. Nuk janë të sanksionuara rregullat si mund të zbatohet një rezolutë, kështu që ka mbetur kjo punë më shumë në aspektin propagandistik që të flitet në Parlament sesa që mund të merret dikush me përgjegjësitë për moszbatimin e një rezolute”, ka theksuar Haliti.

Haxhiu: Zbatimi i rezolutave nuk i konvenon Qeverisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë që zbatimi i rezolutave të miratuara në Kuvend nuk i konvenon Qeverisë aktuale, prandaj sipas saj, një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Kuvendit kohëve të fundit qëllimisht i është humbur rëndësia për faktin se Qeveria në pushtet sikurse në të kaluarën, ashtu edhe tani është duke u munduar ta shtypë Kuvendin përmes formave të ndryshme. Edhe përmes neglizhencës së Kuvendit në kohën e interpelancave, pyetjeve parlamentare, si dhe mosrespektimi i rezolutave të votuara në Kuvend, duke i konsideruar që nuk janë obligative për faktin se nuk i kanë konvenuar apo nuk i janë përshtatur interesave të Qeverisë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, nëse nuk respektohen rezolutat e Kuvendit humbet edhe rëndësia e votës së deputetit.

“Çfarë kuptimi ka vota e deputetit të Kuvendit të Kosovës nëse një vendim që merret nga ai nuk respektohet, pra kjo është e papranueshme për ne, sepse konsiderojmë që është e rëndësishme që të vihet në pah republika parlamentare, të respektohen vendimet që i nxjerr Kuvendi i Kosovës, pra rezolutat që janë miratuar shumë të tilla po mbeten të parespektuara për faktin se Qeveria nuk po dëshiron që t’i zbatojë, sepse nuk u përshtaten interesave të tyre”, ka thënë ajo.

Sipas saj, do të duhej të fuqizohet roli i Kuvendi i Kosovës karshi Qeverisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës, por që sipas saj me Qeverinë aktuale kjo gjë është e pamundur.

Qeveria nuk ka marrë veprimet e nevojshme për miratim të rezolutave

Deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” që pavarësisht zbatimit të një numri të vogël të rezolutave, një numër i madh i tyre po mbesin pa u zbatuar sepse Qeveria dhe institucionet përkatëse nuk kanë marrë veprimet e nevojshme.

“Ka rezoluta të cilat megjithatë janë zbatuar, por një numër prej tyre nuk janë zbatuar sepse ato kërkojnë veprime konkrete nga Qeveria. Ky numër i rezolutave ka mbetur pa u zbatuar sepse Qeveria dhe institucionet e tjera, të cilave u janë drejtuar ato rezoluta, nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nuk mund të flitet përgjithësisht për numrin e zbatimit të rezolutave, sepse disa prej tyre edhe janë zbatuar.

Eugen Cakolli, nga KDI-ja, ka thënë që pavarësisht miratimit të një numri të vogël të rezolutave në Kuvend, edhe ato të cilat janë miratuar nuk kanë gjetur zbatim.

“Këtë vit rastet kur votimi i rezolutave ka dështuar kanë qenë të shpeshta si rezultat i mungesës së kuorumit. Por edhe rastet kur rezolutat janë miratuar ato nuk kanë gjetur zbatimin e duhur. Një praktikë e tillë do të duhej të eliminohej dhe institucionet, përkatësisht Qeveria, do të duhej t’i respektonin aktet e nxjerra nga Kuvendi”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, edhe deputetët e Kuvendit do të duhej që pa dallime politike të kërkojnë llogari nga zyrtarët e ekzekutivit për moszbatim të rezolutave.

Cakolli thotë edhe se mungesa e mekanizmave sanksionues për rezolutat ka krijuar një praktikë të moszbatimit të tyre.

“Njëra nga kompetencat kryesore të Kuvendit është edhe miratimi i rezolutave, që në thelb paraqesin vullnetin politik të organit ligjvënës karshi një teme të caktuar. Mirëpo, duke marrë parasysh faktin se rezolutat nuk kanë efekt ligjor detyrues dhe Kuvendi nuk ka mekanizma sanksionues për mosimplementimin e rezolutave, është krijuar praktikë e moszbatimit të tyre nga organet përgjegjëse”, ka thënë ai.

Sipas Cakollit, zbatimi i rezolutave mbetet nën vullnetin e institucioneve të cilave ato u drejtohen, që ato të merren parasysh dhe të adresohen.