Cuoci: Arrestimi i Gjuriqit, ka mundur të shmangej brutaliteti i Policisë (VIDEO)

Aktuale May 07, 2018 - 11:03
Intervistë ekskluzive me komandantin e KFOR-it, Salvatore Cuoci

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Zëri”, ka folur edhe për arrestimin e shefit të Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Cuoci në këtë intervistë ka thënë se ka mundur të shmangej brutaliteti i Policisë.

Zëri: A ka pasur ndonjë rrezik për përshkallëzim?

Cuoci: Në thelb kishim disa njerëz, ka mundur që situata të ndryshojë menjëherë, por njerëzit ishin të qetë dhe pastaj u shpërndanë. Kështu që kjo është një shenjë e mirë e pjekurisë për të shmangur çdo lloj përshkallëzimi. Kishte disa bllokime të rrugëve dhe pasi jemi marrë me njerëzit që qëndronin pas bllokadave, ata pranuan për t’i hequr pengesat rrugore. Kështu që unë mendoj se kjo ishte një histori e suksesshme, edhe pse arrestimi ishte diçka për të cilën mund të flasim, mund të vlerësojmë se ndoshta ka mundur të shmanget forca brutale e Policisë së Kosovës. Por në të njëjtën kohë, pavarësisht faktit se arrestimi u zhvillua në mënyrën se si është kryer arrestimi, ndërhynë pas arrestimit të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare, gjë që ishte shumë e rëndësishme, sepse ndikoi që situata të mos tensionohej dhe gjithashtu të eliminohet çdo lloj rreziku i mundshëm për cenimin e stabilitetit të brishtë siç kemi përmendur në fillim.

LEXO EDHE: Çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj NATO-s

Zëri: Komandant, ju thoni për të shmangur forcën brutale. Si të shmanget ajo kur z. Gjuriq nuk e respekton lejen e autoriteteve vendore për të hyrë në Kosovë?

Cuoci: Pra, ky është një fakt që duhet të vërtetohet nëse Marko Gjuriq ka shkelur ligjin ose jo. Nëse ky është rasti dhe ai u arrestua për këtë arsye, pyetja ishte, a ishte me të vërtetë e nevojshme për një përdorim të tillë të forcës nga Policia që ta arrestonte Gjuriqin, kështu që kjo është çështja kryesore dhe është diçka që duhet të kihet parasysh në të ardhmen. Nuk po kritikoj atë që ka ndodhur, por po them se nëse ka diçka që po ndodh është më mirë se kurrë një reagim i mirë, mënyra e drejtë e reagimit e krahasuar me kërcënimin me të cilin ballafaqoheni. Në thelb ishte diçka që ndodhi, reagimi i Policisë ishte nën vëzhgimin e të gjithëve sepse të gjithë e shihnin atë që po ndodhte dhe në thelb unë jam shumë i lumtur që institucionet e Kosovës krijuan një Komision të Brendshëm për të vlerësuar se çfarë ndodhi dhe nëse sjellja e Policisë ishte korrekte në atë rast.

Zëri: Ju mendoni që arrestimi nuk ishte veprim i duhur nga Policia?

 Cuoci: Jo reagimi, por mënyra. Kështu që do të vlerësohet nga komisioni i posaçëm që po heton atë dhe unë e perceptoj e mund të them se kjo është një shenjë e mirë, një shenjë e mirë për pjekurinë e plotë të institucioneve të Kosovës për të hetuar rastin që ndodhi dhe të zbulohet nëse përdorimi i forcës ishte me të vërtetë e nevojshme dhe në mënyrën e duhur për të shmangur ndoshta nëse diçka ishte e gabuar, e cila mund të ndodhë përsëri në të ardhmen. Kështu që në mendjen time, nga këndvështrimi im, kjo është edhe një shenjë e mirë për të ecur përpara dhe për ta prezantuar këtë vend si një vend që është i përgatitur për t'u bashkuar me bashkësinë ndërkombëtare, i cili është edhe qëllimi. Edhe nganjëherë kur bëjmë gabime duhet pasur vullnetin për të hetuar dhe ta marrim mësime nga gabimet. Kjo është diçka që do të ndihmojë shtetin të rritet dhe të tregojë pjekuri edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo është diçka që duhet pasur në konsideratë, natyrisht që duhet të shmangim gjithashtu që një gjë e tillë të mundë të ndodhë përsëri, kështu është e rëndësishme që të ketë një rishikim të brendshëm dhe me rishikimin e brendshëm mund të mësojmë dhe të shmangim situata të ngjashme. Nëse çdo gjë ishte korrekte, atëherë duhet të ketë justifikim, të vërtetohet se gjithçka ishte e korrekte. Por në parim është e rëndësishme të bëhet ky shqyrtim dhe të vlerësohet nëse çdo gjë ishte në mënyrën e duhur dhe nëse ka mundur të ndërmerrej në mënyrë të ndryshme për të përmirësuar kapacitetin e Policisë...(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri si dhe në versionin Online me parapagim në online.zeri.info)