Dita e Evropës, festa që festohet vetëm nga Kosova

Aktuale May 07, 2018 - 08:34
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Dita e Evropës (9 Maji) është festa që festohet vetëm nga Kosova, shtet ky që si për ironi është më së largu në proceset integruese. Në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë janë gjithsej njëmbëdhjetë festa të ndryshme, ndërsa vlerësohet se Dita e Evropës dhe disa festa tjera duhet të largohen nga kalendari i festave, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Disa nga festat zyrtare të cilat vit pas viti kremtohen në Kosovë po konsiderohen si të tepërta dhe të panevojshme nga anëtarët e shoqërive civile, për këtë arsye ata kërkojnë që disa nga festat të largohen nga kalendari.

Një ndër festat e cila është kërkuar të hiqet nga kalendari është edhe ajo e Nëntë Majit, me arsyetimin se kjo ditë nuk festohet as nga vetë Evropa, shkruan më tutje "Zëri".

Prandaj anëtarë të shoqërive civile konsiderojnë se kosovarët duhet të punojnë.

LEXO EDHE: Ahmeti ose Ymeri në krye të PSD-së

Megjithatë, edhe pse tashmë disa vite ka reagime për numrin e madh të festave, as këtë vit nga Qeveria nuk është ndërmarrë asnjë veprim rreth kësaj çështjeje.

Zyrtarë për informim në Qeveri kanë thënë për gazetënZëri se ende nuk është marrë ndonjë nismë rreth heqjes së disa festave nga kalendari i festave zyrtare.

“Festat zyrtare janë të rregulluara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ndryshimi i tyre ndodh vetëm me anë të ndryshimeve kushtetuese. Aktualisht nuk është ndërmarrë ndonjë nismë e tillë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, ka thënë se duhet të largohen disa festa nga kalendari i festave zyrtare.

Sipas tij, kosovarët festojnë edhe festa që as Evropa nuk i feston.

“Unë jam dakord për t’u larguar disa festa nga kalendari i festave zyrtare sepse ka shumë festa zyrtare. Duhet të modifikohet lista e festave zyrtare. Është e stërngarkuar. Kemi Festën e Evropës të cilën ata nuk e festojnë, ndërsa ne e festojmë në Kosovë. Lista është e ngarkuar me festa dhe duhet të eliminohen disa prej tyre dhe të mbesin ato kombëtare që janë Pavarësia, Dita e Flamurit”, ka theksuar ai.

Shala: Gjysma e festave të kthehen në ditë pune

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka konsideruar se Kosova me papunësinë që ka duhet ta përgjysmojë numrin e festave.

“Besoj që Kosova duhet së paku 50% deri në 70% të festave që i ka si festa zyrtare t’i shndërrojë në ditë pune sepse Kosova nuk e ka rehatinë me këtë zhvillim ekonomik, varfëri e papunësi të krijojë ditë të lira duke marrë festa të shteteve që as vetë nuk i festojnë, sikurse është Festa e Ditës së Evropës, që as vetë Evropa nuk e ka festuar, kurse ne po. Ka shumë festa që janë krejtësisht të panevojshme”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, duhet të analizohet lista e kalendarit me festa.

“Nxënësit, studentët kanë dëshirë të festojnë dhe për ta është e mirëseardhur të kenë një pushim, mirëpo Kosovës nuk i duhen gjithë këto festa sepse thjesht nuk ka çfarë të festojë. Kosova nuk ka rezultate për t’i lejuar vetes që t’i ketë këto festa. Duhet të bëhet një reduktim i festave, duhet të analizohet kalendari i festave”, ka deklaruar ai.

Shala ka konsideruar që duhet t’i bëhet presion Qeverisë, në mënyrë që të marrë masa në largimin e disa festave.

Numri i madh i festave është pengesë për bizneset

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka  thënë për “Zërin” se ata kanë kërkuar ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare.

Sipas tij, është kërkuar që nëse festat janë në fundjavë, të mos bartet pushimi ditëve tjera.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë që në vitin 2013 ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare, me kërkesën e mosbartjes së ditëve të pushimit kurdo që ato bien gjatë ditëve të fundjavës, për në ditën e ardhshme të punës. Kjo kërkesë është diskutuar dhe është aprovuar në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, prandaj nuk arsyetohet mosndryshimi i tij nga ministria përkatëse dhe nga qeveritë në përgjithësi tash e disa vite”, ka thënë ai.

Sipas tij, Ligji për Festat Zyrtare paraqet ngarkesë në punën e sektorit privat.

“Oda Amerikane ka kërkuar edhe reduktimin e numrit të ditëve të festave zyrtare në rastet kur ka festa të paarsyeshme, siç është rasti me Ditën e Evropës, ditë kjo e cila nuk është ditë pushimi as në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ligji duhet të ndryshohet dhe të reflektojë kërkesat e sektorit privat duke pasur parasysh ngarkesën që ligji ekzistues paraqet në punën e tyre”, ka deklaruar ai.

Kërkesa që edhe Dita e Egjiptianëve të shpallet festë zyrtare

Në muajin shkurt të këtij viti në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim është formuar Komisioni për Nismën, Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast kryetari i këtij grupi  punues Veton Berisha ka kërkuar që edhe Dita e Egjiptianëve të shpallet festë zyrtare në Republikën e Kosovës para datës 24 qershor, në mënyrë që prej këtij viti të fillojë respektimi i saj.

“Qe 3-4 vjet ne e shënojmë këtë ditë. Duke u bazuar në Kushtetutë komuniteti egjiptian kërkon që sa më parë kjo ditë të futet në kalendarin e festave zyrtare, që kjo ditë të shpallet si festë zyrtare para 24 qershorit”, ka thënë ai.

Analisti i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Zërin” se si festë zyrtare duhet të mbesin vetëm festat shtetërore, kombëtare dhe Një Maji.

“Ligji për Festa ka shumë festa. Do të duhej të respektohen edhe bashkësitë fetare, edhe komunitetet, por festa duhet të ketë më pak. Festat shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare nëse mbetet Një Maji dhe asgjë më shumë, sepse jemi bërë ndoshta ndër shtetet më të reja, por me më shumë festa të cilat ndikojnë edhe në procesin e riprodhimit shoqëror në ekonomizim, ndikojnë edhe në faktorë të tjerë, dobësojnë fuqinë punuese dhe kanë koston e tyre”, ka theksuar ai.

Baraliu ka thënë se duhet të punohet më shumë sesa të festohet.