Ahmeti ose Ymeri në krye të PSD-së

Aktuale May 07, 2018 - 08:09
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Grupi i Deputetëve të Pavarur dhe zyrtarë tjerë të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje përfundimisht do t’i bashkohen Partisë Socialdemokrate, shkruan sot Gazeta "Zëri".

GDP-ja dhe PSD-ja tashmë kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkim, e cila do të bëhet zyrtare më 9 maj në kuvendin zgjedhor të Partisë Socialdemokrate.

Kryetar i ri i kësaj partie pritet të jetë kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ose ish-kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën Zëri kryetari aktual i Partisë Socialdemokrate, Bajram Kelmendi, i cili konfirmoi se të martën 12 deputetët e GDP-së i bashkohen subjektit të tij politik. 

Më 9 maj mbahet kuvendi zgjedhor i PSD-së

LEXO EDHE: KFOR-i, i gatshëm të ndihmojë në arrestimet e Speciales

 “Është mbledhja e kuvendit dhe do të mbahet më 9 maj, në orën 17:00. Kemi bërë një marrëveshje me Grupin e Deputetëve të Pavarur, e kemi nënshkruar dhe e kemi bërë formale. Ata do t’i bashkohen Partisë Socialdemokrate, pra 12 deputetë të pavarur me një numër të simpatizantëve të tyre”, ka deklaruar ai. 

Kelmendi tregoi që ai personalisht do të jetë anëtar në Kryesinë e Partisë.

Ndërkaq, pozitat brenda partisë me 12 deputetët e rinj do t’i ndajnë sipas statutit të Partisë Socialdemokrate.

“Aktualisht do të shkojmë me një zgjerim 10% të organeve që kanë ekzistuar dhe që i zgjedh Kuvendi, me plotësimin e atyre që janë tërhequr, që janë disa vende të lira. Pra, plotësohen ato vende të lira dhe deri në 20% shtohet numri. E ne pastaj shohim, ne e kemi një vendim që i kemi 51 anëtarë të Këshillit Drejtues. Mund të jetë që rritet sërish, por kuvendi do të vendosë se si do të ndahen, sa do të jenë në Kryesi, sa në Këshillin Drejtues, mbikëqyrës tash i kemi 5 mund të bëhen 7”, ka sqaruar Kelmendi.

Ai bëri të ditur se favorit për ta udhëhequr Partinë Socialdemokrate tash e tutje janë Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri. “Është çështje e kuvendit. Është biseduar, nuk e kemi definuar se cili do ta udhëheqë partinë, por ata do të kenë së paku dy kandidatë që mund të jenë Shpendi apo Visari, por mund të jenë edhe të tjerë. Por unë besoj që do të jetë ose Shpendi, ose Visari”, tha ai.

Kelmendi ka deklaruar se pret që me ardhjen e 12 deputetëve nga GDP-ja të rritet suksesi i kësaj partie meqenëse është njëra ndër partitë më të vjetra.

Se GDP-ja përfundimisht po i bashkohet Partisë Socialdemokrate e ka konfirmuar ditë më parë për gazetën “Zëri” edhe deputeti i GDP-së Salih Salihu, i cili tha se është vendosur përfundimisht që Grupi i Deputetëve të Pavarur t’i bashkohet PSD-së.

Ndërsa, deputeti tjerë nga GDP-ja Dukagjin Gorani ka thënë për “Evropën e Lirë” se pritet që kah mesi i këtij muaji të konkretizohet e ardhmja politike e këtij Grupi. Ndërsa i pyetur se a kanë vendosur se kush do ta udhëheqë partinë, Gorani ka thënë se ende nuk kanë biseduar.

“Jo ende. Mendoj që së paku, ky Grup, jo vetëm deputetët por edhe bashkëpunëtorët e këtij Grupi, të cilët janë aktivistë politikë për një kohë të gjatë, mendoj që përbëhet prej një cilësie të konsiderueshme organizative, por edhe ideologjike, edhe mendoj që është një numër relativisht i madh i njerëzve prej të cilëve mund të zgjidhet udhëheqësi, udhëheqja e re”, është shprehur Gorani.

Baraliu: PSD-ja dhe LVV-ja parti të njëjta, deputetët ikën për arsye tjera

Ndërkohë njohësi i rrethanave politike Mazllum Baraliu deklaroi për gazetën “Zëri” se vendimi i deputetëve të GDP-së për t’iu bashkuar PSD-së nuk është zgjedhja më e mirë dhe se nuk pret ndonjë rritje të madhe të kësaj partie.

“Të gjitha këto vite kanë treguar që Partia Socialdemokrate, e cila është njëra nga partitë më të vjetra në Kosovë, nuk ka arritur shumë që të ketë ndonjë shtim të madh në përqindje dhe një rritje të elektoratit. Pavarësisht respektit që kam për anëtarët e saj, nuk mendoj që është hapi më i mirë i përzgjedhur dhe që mund të ketë ndonjë afrim kualitativ në zgjedhjet e para kurdo që mbahen”, ka thënë ai.  

Baraliu tha se deputetët e pakënaqur të LVV-së u larguan për arsye personale, pasi partia që ata po i bashkohen nuk dallon fare nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Unë mendoj që Partia Socialdemokrate dhe programi i saj nuk dallojnë fare madje nga Vetëvendosja, është parti majtiste dhe të gjitha komponentët kryesorë të programit mund të jenë të njëjta dhe të ngjashme edhe me Vetëvendosjen. Prandaj unë nuk e di se çfarë kanë qenë dallimet, pasi veprimi i tyre tregon që dallime esenciale mes të dy palëve nuk ka pasur, por janë çështje dhe arsye të tyre”, tha ai.

Baraliu tutje tha se ndonëse janë një numër i konsiderueshëm i deputetëve të GDP-së ata janë me një bagazh dhe me një elektorat të një partie tjetër dhe nuk pret ndonjë befasi në kuptimin e rritjes së madhe të elektoratit të PSD-së.