Akuzat e para nga Gjykata Speciale, në vjeshtë të këtij viti

Aktuale May 05, 2018 - 07:36

Fundi i këtij viti mund të jetë koha kur do të zbardhen emrat e të akuzuarve të parë të prokurorit të specializuar. Avokatët e akredituar nga Gjykata Speciale për mbrojtjen e të akuzuarve të mundshëm të kësaj gjykate pohojnë se deri në vjeshtë mund të ngrihen aktakuzat e para nga Specialja, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vjeshta e këtij viti mund të jetë e nxehtë për të akuzuarit e mundshëm të Gjykatës Speciale. Kjo pasi aktakuzat e para të Prokurorit Special pritet të bëhen deri në vjeshtë të këtij viti. Kështu të paktën besojnë avokatët e akredituar për përfaqësimin e të akuzuarve të mundshëm të Gjykatës Speciale, apo siç njihen ndryshe si Dhomat e Specializuara. Ata thonë se kanë nisur punën për sigurimin e vendbanimit në Hagë dhe përgatitjen e ekipeve të tyre.

Avokati Arianit Koci thotë se me akreditimin e avokatëve për t’i përfaqësuar palët në Gjykatën Speciale janë plotësuar të gjitha kushtet që Gjykata ta nisë punën e saj. Avokati Koci thotë se nuk ka informatë të saktë se kur do të ndodhë kjo, megjithatë pritjet janë që Gjykata ta nisë punën e saj në vjeshtë të këtij viti. “Fillimi zyrtar i punës së Gjykatës është ngushtë i lidhur me ngritjen e aktakuzave, shkruns ot Gazeta "Zëri".

Pra, në momentin kur do të ngrihet aktakuza e parë, atëherë gjykata funksionalizohet, ngase fillon shqyrtimi i aktakuzës sipas procedurës së parashikuar ligjore. Ekziston bindja se aktakuzat e para do të ngrihen në tremujorin e tretë të këtij viti”, ka thënë Koci. Sipas avokatit Koci, nuk ka arsye që kjo çështje të zvarritet edhe më tej. Koci thotë se shumë shpejt do të mësohen edhe emrat e të akuzuarve. “Gjykata është themeluar nga Kuvendi, janë rekrutuar gjyqtarët dhe prokurorët dhe janë akredituar avokatët. Krahas kësaj, janë zhvilluar edhe hetimet ndaj disa personave identiteti i të cilëve nuk dihet. Megjithatë, këtë do ta mësojmë së shpejti”, shprehet ai. Ai tregon se ka nisur përgatitjet e ekipit të tij për angazhim në Hagë. “Po, kam filluar me përgatitjen e ekipit dhe aranzhimin e vendbanimit në rast se angazhohem nga ndonjë palë e akuzuar. Tash krejt varet nga palët, ata e angazhojnë avokatin përkatës, në aftësitë profesionale të të cilit kanë më së shumti besim”, thotë Koci.

Rrecaj: Në vjeshtë të këtij viti apo në fillim të dimrit duhet të fillojë Gjykata Speciale

Edhe avokati tjetër i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Tahir Rrecaj, thotë se pasi është emëruar kryeprokurori i ri i Dhomave të Specializuara, deri në fillim të vjeshtës së këtij viti veç duhet të funksionalizohet Gjykata Speciale. “Unë besoj që vjeshta e këtij viti ose fillimi i dimrit më së largu duhet të fillojë Gjykata Speciale, besoj se është në interesin e të gjithëve, por edhe në interesin e Kosovës që t’u jepet një epilog këtyre pretendimeve për krimet e luftës të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. Tani avokatët veç janë akredituar, Gjykata është konstituuar, edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar është kompletuar, nuk ka asnjë pengesë qoftë të natyrës teknike apo profesionale që brenda këtij viti të fillojë puna”, shprehet avokati Rrecaj. Avokati Rrecaj shprehet skeptik sa i përket punës së kësaj gjykate. “Ne të gjithë e dimë që edhe misioni i UNMIK-ut, por edhe EULEX-i për rastet e krimeve të luftës, por edhe për rastet e tjera në pjesën më të madhe kanë dështuar, të shohim tash si do të funksionojë Gjykata Speciale”, u shpreh Rrecaj. Edhe Rrecaj tregon se pas akreditimit ka nisur përgatitjet teknike për sigurimin e banesës në Hagë dhe ekipit mbrojtës.

Shala: Në çdo kohë pritet të fillojnë proceset gjyqësore ndaj të akuzuarve

Për t’i mbrojtur të akuzuarit e mundshëm nga Gjykata Speciale ka aplikuar edhe avokati Nikë Shala, i cili është në pritje të akreditimit. Avokati Shala thotë se kjo gjykatë ndodhet në fazën kur në çdo kohë pritet të fillojnë proceset gjyqësore ndaj personave të akuzuar për vepra penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. “Edhe pse kjo gjykatë tanimë është themeluar pa të drejtë për t’i gjykuar rastet për vepra penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, unë besoj se për ata të cilët do të ulen në bankën e të akuzuarve drejtësia do të triumfojë, sepse dihet fare mirë se në Kosovë është zhvilluar një luftë e drejtë vetëmbrojtëse e kjo do të dëshmohet gjatë seancave kur të bëhet administrimi i provave për të vërtetuar saktë të gjitha faktet se a janë ndërmarrë veprime inkriminuese nga personat që do të akuzohen”, thotë avokati Shala.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit Specialist nuk jep asnjë detaj për ngritjen e aktakuzave të mundshme.

Chris Bennett, nga Zyra e Prokurorit Specialist, i ka thënë gazetës “Zëri” se kjo zyrë po e vazhdon hetimin në mënyrë sa më efektive dhe të shpejtë të mundur. “Zyra e Prokurorit Specialist po e vazhdon hetimin në mënyrë sa më efektive dhe të shpejtë të mundur. Por për arsye profesionale, etike dhe ligjore prokurori special nuk komenton statusin e hetimeve”, ka thënë Bennett.

Se ngritja e aktakuzave dhe fillimi i punës së Gjykatës Speciale është vonuar e thotë drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj. Ai thotë se gjatë këtij viti duhet të ngrihen aktakuzat dhe të nisë puna e Dhomave të Specializuara. “Ne kemi pritur edhe vitin e kaluar që do të ngrihen aktakuzat e para, mirëpo kjo nuk ndodhi. Sigurisht, gjatë këtij viti do të duhej të ngrihen aktakuzat e para, por ne nuk kemi asnjë informatë se kur do të ndodhë kjo”, shprehet Blakaj.

Ndërkohë, interesimi për aplikimin e avokatëve për akreditim nga Gjykata Speciale po vazhdon.

Drejtori ekzekutiv në Odën e Avokatëve, Yll Zekaj, thotë se ende po vazhdon aplikimi i avokatëve për të qenë pjesë e Gjykatës Speciale. “Ende nuk ka diçka të re në këtë aspekt përveç aplikimeve të vazhdueshme për avokat në Speciale”, ka thënë Zekaj.

 Ndryshe, ish-prokurori special David Schwendiman para se të dorëzonte mandatin e tij më 22 mars 2018 kishte deklaruar se janë mbi 700 mijë faqe dokumentacion, 70 mijë shkresa dhe rreth 6 mijë materiale të tjera të ngjashme, duke përfshirë videofilmime, fotografi, transkripte dhe materiale të tjera të mbledhura deri tash nga prokurori i specializuar për akuzat e mundshme të Gjykatës Speciale. Par largimit të David Schwediman nga pozita e kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Kosovë, disa ditë më parë një tjetër amerikan është caktuar të udhëheqë me këtë institucion. Kryeprokuror i ri i Gjykatës Speciale është caktuar prokurori amerikan Jack Smith./ZËRI