PAN-i është kundër shkarkimit të Dërgutit

Aktuale May 03, 2018 - 10:23
Lexoni më shumë detaje

Aida Dërguti sot mund të shkarkohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit me iniciativë të ish-bashkëpartiakëve të saj, ndonëse para më pak se një viti ishte përzgjedhur në këtë pozitë të lartë në legjislativ pikërisht me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan "Zëri".

Për të kaluar iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Dërgutit duhet votuar nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit, vota këto sipas drejtuesve të këtij subjekti politik opozitar i sigurojnë me lehtësi, ndonëse deri më tani nuk kanë arritur marrëveshje për përkrahje nga ndonjë subjekt tjetër politik parlamentar.

Drejtues të tri partive në koalicionin qeverisës kanë deklaruar për gazetën Zërise nuk janë të pajtimit që Aida Dërguti të shkarkohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, ndonëse treguan që nuk është marrë ende ndonjë vendim final nëse do të votohet pro apo kundër.

Hajdar Beqa, nga PDK-ja, tha për gazetën Zëri se në PDK ende nuk ka një qëndrim të partisë për këtë, por tha se shkarkimi i Dërgutit do të jetë problematik pasi duhen 80 vota për shkarkimin e saj.

Beqa ka shtuar se nëse një deputet ka arritur në atë pozitë nga një parti politike, atëherë është çështje personale nëse dëshiron të japë dorëheqje ose jo.

LEXO EDHE: Kurteshi: Nëse nuk shkarkohet Dërguti, i drejtohemi Kushtetueses

Kurse Time Kadrijaj, nga AAK-ja, tha se nuk do ta votojë shkarkimin e Dërgutit dhe beson që këtë qëndrim do ta mbajë edhe partia e saj.

“Unë personalisht nuk do ta votoj. Kam një respekt të veçantë për zonjën Dërguti dhe nuk do ta votoj shkarkimin e saj. Mendoj që kështu do të jetë edhe mendimi i Grupit Parlamentar të AAK-së edhe pse ende nuk kemi marrë një vendim”, ka thënë ajo.

Kadrijaj tha se do të ishte e pandershme nëse tani deputetët votojnë pro shkarkimit të Dërgutit.

LEXO EDHE: Salihu: Iniciativa e Vetëvendosjes për shkarkimin e Dërgutit, e pasinqertë

Enver Hoti, nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë për "Zërin", se një çështje e tillë nuk do të duhej fare të futej në rend dite.

“Nuk e kemi marrë ndonjë vendim si subjekt, do të konsultohemi, por mendimi im personal është që kjo çështje nuk ishte dashur të ishte as në rend dite”, tha Hoti. 

Hoti beson që nuk do të arrihen votat për shkarkimin e Dërgutit, ndonëse tha që Nisma ende nuk ka marrë një vendim.

“Do ta marrim një vendim, por nuk besoj që do të arrihen votat për shkarkimin e znj. Dërguti”, ka thënë ai. /ZËRI/