GDP-ja zgjedh Ditën e Evropës 'për t’u shkrirë' në PSD

Aktuale May 03, 2018 - 08:19
Lexoni më shumë detaje

Grupi i Deputetëve të Pavarur dhe zyrtarë tjerë të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje pritet që shumë shpejt t’i bashkohen Partisë Socialdemokrate. GDP-ja dhe drejtuesit e PSD-së janë afër arritjes së marrëveshjes për bashkim, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndërsa në Ditën e Evropës (më 9 Maj) ka gjasa që të mbahet Kuvendi Zgjedhor i PSD-së, në të cilin do të anëtarësohen të larguarit e Vetëvendosjes dhe më pas do të zgjidhen strukturat e reja udhëheqëse të njërës ndër partitë më të vjetra në vend.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Bajram Kelmendi, ka thënë për gazetën Zëri se deri më tani kanë mbajtur dy takime me përfaqësuesit e Grupit të Deputetëve të Pavarur dhe se janë marrë vesh për disa çështje.

LEXO EDHE: Vetëvendosja sot tenton shkarkimin e Dërgutit

“Kemi biseduar me Dardan Molliqajn dhe me Aida Dërgutin, pastaj kemi mbajtur mbledhje kryesia e partisë në të cilën kemi marrë një vendim. Jemi marrë vesh që Zekë Ceku, nënkryetari i partisë, të shkojë së bashku me Kaqusha Jasharin, që është Kryetare Nderi e Partisë, të bisedojë edhe një herë. Kanë biseduar edhe një herë dhe janë marrë vesh për disa detaje”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai më tej ka thënë se pret që shumë shpejt të finalizohet marrëveshja me të larguarit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët do të anëtarësohen në parti dhe më pas do të zgjidhen strukturat e reja udhëheqëse të PSD-së.

“Ne jemi të bindur se do të kemi një marrëveshje. Ata kanë kërkuar të vijnë në parti, ne do ta mbajmë një kuvend të jashtëzakonshëm së shpejti dhe do të jetë kuvend zgjedhor. Ata vijnë komplet jo vetëm grupi parlamentar, por edhe njerëz tjerë anëtarësohen tek ne dhe pastaj kuvendi zgjedhor vendos për strukturat. Do të kemi përqindje të përfaqësimit edhe ne që jemi të vjetër në parti e edhe ata që vijnë të rinj”, ka bërë të ditur Kelmendi.

Në fund ai ka thënë se gjithçka do të shkojë sipas statutit të partisë.

Sipas Kelmendit, 9 maji është data kur mund të mbahet kuvendi zgjedhor i Partisë Socialdemokrate dhe pjesë e strukturave do të bëhen edhe ish-anëtarët e Vetëvendosjes.

“Ashtu jemi marrë vesh. Sigurisht se do të fuqizohet partia, ky është qëllimi edhe yni, edhe i atyre që vijnë si të rinj në parti. Orientimisht, do të jetë 9 maji, por nuk mund ta them me saktësi datën pasi ende nuk e kemi precizuar atë. Ka gjasa që deri më 9 maj do të përfundojë”, ka potencuar Kelmendi.

Edhe Kryetarja e Nderit e PSD-së, Kaqusha Jashari, ka konfirmuar se kanë pasur negociata me përfaqësuesit e GDP-së dhe se po vazhdojnë të kenë edhe më tutje.

Ajo ka thënë se nuk bëhet fjalë për shuarje të partisë, të cilën ajo e drejtonte dikur, porse vetëm do të ketë zgjerim të saj.

“Kemi pasur negociata, jemi duke vazhduar ende. Nëse e arrijmë marrëveshjen shumë shpejt do të bëhet e ditur edhe për opinionin. Partia nuk shuhet sepse ajo ka ekzistuar qe 28 vjet, ata i bashkohen, krejt kjo në respektim të plotë të statutit”, ka deklaruar Jashari.

Kurse deputeti nga radhët e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Sali Salihu, ka thënë se nuk kanë vendosur përfundimisht për emrin e partisë.

Ai madje ka thënë se kanë pasur disa opsione për emrin e partisë së re.

Megjithatë, Salihu ka thënë për “Zërin” se pasi janë marrë vesh që ta trashëgojnë Partinë Socialdemokrate nuk mund ta ndryshojnë emrin.

“Kemi disa opsione të ndryshme, por ende nuk kemi dalë me një vendim. Në momentin që këshilli organizativ e merr një vendim, atëherë do të bëhet publik. Ka pasur disa opsione pra emra të ndryshëm, por që nuk kanë qenë shumë domethënës. Unë kam qenë për diçka tjetër, isha për emrin ‘Lidhje Socialdemokrate’. Por nuk kemi diskutuar, vetëm se kanë thënë në atë kuptim pasi Partia Socialdemokrate e ka edhe emrin që e kemi marrë dhe po e trashëgojmë, tani nuk bën ta ndryshojmë”, ka deklaruar Salihu.