Ish-gjenerali kroat paralajmëron luftë të re në Ballkan

Aktuale May 01, 2018 - 07:51
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Një luftë të re në Ballkan po e paralajmëron gjenerali në pension i Kroacisë, Pavao Miljavac.

Miljavac që ka qenë edhe shef i Shtabit të Forcave të Armatosura në kohën e Tuxhmanit, po thotë se në vendet e Ballkanit mund të ketë përsëri konflikte.

“Unë besoj se Kroacia nuk do të jetë drejtpërdrejt e përfshirë. Një konflikt mund të fillojë në Ballkan, dhe mund të ndodhë që dhuna të kalojë kufijtë”, ka thënë Miljavac për portalin Directno.hr.

Por njejtë nuk po mendojnë edhe zyrtarët e lartë për sigurinë kroate, transmeton lajmi.net.

Ish-shefi i sigurimit të Tuxhmanit, gjenerali Mate Lausiq po thotë se në Ballkan nuk mund të ketë konflikt të ri.

“Gjithmonë do të ketë tensione, por nuk mund të ketë konflikt, nuk besoj. Nëse do të ndodhte do të ishte konflikt në Evropë, prandaj nuk ka rrezik të tillë”, tha Lausiq për Jutarnji.hr

Kurse ministri i mbrojtjes në Kroaci nuk ka dashur të komentojë përë këtë çështje.

“Nuk kam komente”, tha Damir Krstiçeviq.

Këto reagime vijnë në kohën kur raportet mes Serbisë dhe Kroacisë janë përkeqësuar dukshëm.