Vetëvendosje akuzon Gjykatën Kushtetuese pas vendimit për Demarkacionin

Aktuale April 30, 2018 - 16:42
Ja reagimi i tyre

Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Demarkacionit, me c`rast përmes një komunikatë për media kanë thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka patur prapë guximin që ta trajtojë shkeljen e Kushtetutës së Kosovës, transmeton “Zëri.info”.

“Gjykata Kushtetuese sërish nuk guxoi ta trajtojë shkeljen e Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ashtu siç kishte bërë në 2013 me Marrëveshjen Thaçi-Daçiq ku 6 pikat e para parashihnin Zajednicën, marrëveshjen vijuese të së cilës në 2015 e paraqiti me 23 shkelje kushtetuese, veproi edhe me rastin e dërguar lidhur me brendinë e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, thuhet në reagimin e tyre.

LEXO EDHE: Ky është vendimi Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e ‘Vetëvendosjes’ për Demarkacionin

Ky është reagimi i plotë i Vetëvendosjes:

Gjykata Kushtetuese sërish nuk guxoi ta trajtojë shkeljen e Kushtetutës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ashtu siç kishte bërë në 2013 me Marrëveshjen Thaçi-Daçiq ku 6 pikat e para parashihnin Zajednicën, marrëveshjen vijuese të së cilës në 2015 e paraqiti me 23 shkelje kushtetuese, veproi edhe me rastin e dërguar lidhur me brendinë e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi

 

I sjellim në vëmendje qytetarëve të Republikës së Kosovës se Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë në shqyrtim marrëveshjen dhe nuk ka konkluduar për të.

Pra: “TA REFUZOJE njëzëri kërkesën e parashtruesve për të shqyrtuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që kërkesa nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën dhe kështu jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”.

 

Edhe pse paraprakisht kontastonte se: “14. Me 18 prill 2018, pas shqyrtimit te raportit te gjyqtarit raportues, Kolegji shqyrtues njëzëri i rekomandoi Gjykatës ta deklarojë kerkesën të pranueshme dhe të vleresojë meritat e kërkesës.”

Pra gjykata në njërën anë e shpall kërkesën e tonë si të pranueshme, pra e njeh juridiksionin e vet mbi rastin, për të konstatuar më pas se i mungon juridiksioni ratione materiae.

Po mos të kishte Gjykata juridiksion ratione materiae atëherë do të duhej ta shpallte kërkesën e tonë si të papranueshme. Kjo përshkruhet shumë qartë në Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese, neni 36, Kriteret e Pranueshmërisë.

Në Kërkesën e deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk u kërkua shqyrtimi i Ligjit për ratifikimin, edhe pse Gjykata ka kthyer përgjigje për këtë, por e dhëna faktike nga Komisioni shtetëror se Kosovës i cënohet territor nga marrëveshja me Malin e Zi./ ZERI