Spitalet me mungesë të mjekëve, nevojiten mbi 500 punëtorë të rinj shëndetësorë

Aktuale April 30, 2018 - 10:28
Lexoni më shumë detaje

Së paku 500 punëtorë shëndetësorë të rinj u nevojiten institucioneve shëndetësore në Kosovë. Ndërkohë që këtë vit ka buxhet shtesë për vetëm 300 punëtorë të rinj, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Institucionet shëndetësore në Kosovë kanë nevojë për së paku 500 punëtorë shëndetësorë, të cilët do të merreshin me trajtimin e sëmundjeve të pacientëve. 

Me mungesë të mjekëve po ballafaqohet edhe Qendra Emergjente.

Drejtori i Emergjencës Basri Lenjani ka deklaruar se janë duke pritur për staf të ri. Edhe Ministria e Shëndetësisë e konfirmon nevojën për staf të ri, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ditë më parë në QKUK janë punësuar 60 infermier/e të profileve të ndryshme dhe se në procedurë është edhe konkursi për 50 specialistë të tjerë.

Ndërsa në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi thonë se për vitin 2018 ka buxhet shtesë për vetëm 300 punëtorë të rinj shëndetësorë.

Veseli: Nevojat për 500 infermierë, pa ta s’mund të vazhdohen shërbimet 24-orëshe

Anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka treguar përZërin se nuk kanë staf të mjaftueshëm në spitale dhe sipas tij, kanë nevojë për së paku 500 infermierë.

“Staf të mjaftueshëm nuk kemi. Tani që ka filluar puna 24 orë ne po kemi nevojë edhe për kardiolog infansiv. Kemi shumë nevojë për stafin infermierik dhe diku nevojat kanë qenë për krejt QKUK-në. Nevojat optimale janë diku 500 infermierë”, ka thënë ai.

Sipas tij, pa staf nuk mund të vazhdohen as shërbimet 24-orëshe.

“Është lejuar konkursi dhe është lejuar që të punësohen afër 60 deri 100 veta me profile edhe të tjera dhe unë besoj që shumë shpejt në rishikim të buxhetit, pasi që është premtim edhe i ministrit, edhe i kryeministrit që të na krijojë hapësirë të bëjmë punësime të reja të stafit infermierik, pasi që pa staf përcjellës nuk mundesh t’i vazhdosh shërbimet 24-orëshe”, ka thënë ai.

Me mungesë të stafit po ballafaqohet edhe Emergjenca. 

Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, ka treguar për “Zërin” se janë duke pritur për staf të ri. “Po presim gjashtë mjekë. Kemi dorëzuar planifikimin, infermierët i kanë sjellë, tani po i presim edhe mjekët. Ka nevojë për shumë mjekë”, ka thënë ai.

MSH: Pritet të ketë punësime të reja

Edhe zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për gazetën “Zëri” se ka nevojë për më shumë mjekë dhe infermierë.

“Për MSH-në është fakt i njohur që në institucionet shëndetësore ka nevoja për më shumë staf profesional (jo në të gjitha, sepse ka edhe shërbime që janë të mbingarkuara me staf) mjekë dhe infermierë dhe për këtë qëllim MSH-ja ka kërkuar mbështetje prej Qeverisë që institucioneve shëndetësore t’u mundësohet rekrutim i  personelit profesional”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Më tej Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se Qeveria i ka lejuar të punësojnë infermierë të rinj.

“Qeveria i ka lejuar sektorit shëndetësor punësime të reja për këtë vit dhe si rezultat ditë më parë në QKUK janë punësuar 60 infermier/e të profileve të ndryshme, 2 specialistë kardiokirurgë dhe në procedurë është konkursi për 50 specialistë të tjerë, 22 për QKUK-në, ndërsa 28 për spitalet e përgjithshme që janë pjesë e SHSKUK-së”, kanë theksuar ata

Zyrtarët për informim nga kjo ministri kanë treguar se pritet të ketë edhe punësime të reja. “Pas këtij konkursi pritet të ketë edhe rekrutime të tjera, sipas nevojave të institucioneve dhe mundësive buxhetore. Duke e ditur edhe angazhimin dhe zotimin e Qeverisë që të gjithë mjekët që specializojnë të punësohen, në proporcion me nevojat do të rekrutohen edhe infermierë”, thuhet më tej në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Baftiu: Ka buxhet shtesë për 300 punëtorë shëndetësorë

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, ka deklaruar se këtë vit ka buxhet shtesë për 300 punëtorë shëndetësorë.

“Për vitin 2018 ka buxhet plus apo shtesë për 300 punëtorë shëndetësorë. E kemi trajtuar këtë çështje, tani nuk e di ku ka shkuar punësimi i këtyre punëtorëve. Unë nuk kam informata të tjera në lidhje me këtë çështje”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Qendra Klinike Universitare e Kosovës vetëm vitin e kaluar kishte njoftuar se ka nevojë për 600 mjekë të rinj.