PAN-i, telashe për përfaqësuesit në KQZ

Aktuale April 30, 2018 - 08:35
Lexoni më shumë detaje

Partia Demokratike e Kosovës si e vetme deri më tani kishte dy përfaqësues në Komisionin Qendror Zgjedhor, po kaq do t’i ketë tani së bashku me partnerët e tjerë të koalicionit PAN, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo pritet të paraqesë problem për partnerët e këtij koalicioni, pasi janë 3 parti të mëdha (PDK, AAK, Nisma), si dhe dhjetëra parti të vogla duhet të vendosin për vetëm për dy përfaqësues në KQZ.

LEXO EDHE: Këtë javë vjen delegacioni i BE-së për vizat

Madje zyrtarët e këtyre partive thonë se ende nuk kanë diskutuar rreth përfaqësimit në KQZ, shkruan më tutje "Zëri".

Të premten presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ia ka vazhduar mandatin edhe për shtatë vjet të tjera kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valdete Dakës, ndërsa ka kërkuar nga partitë politike në vend që t’i dërgojnë emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë dy përfaqësues, aq sa do t’i ketë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Dy anëtarë do t’i ketë koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), ndërsa pakicat do t’i kenë katër përfaqësues.

PAN: Nuk kemi haber për këtë çështje

Zyrtarë nga koalicioni PAN kanë thënë se nuk janë mbledhur ende për të diskutuar në lidhje me emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, për “Zërin” ka thënë shkurt se nuk ka haber për këtë temë.

“Nuk kam haber për këtë gjë. Nuk kemi biseduar ende me askënd dhe nuk kemi marrë asnjë vendim”, ka thënë ai.

Njëjtë ka deklaruar edhe deputeti i Nismës, Haxhi Shala.

“Nuk di, haber nuk kam për këtë punë, as edhe një informacion”, ka thënë ai.

Se partnerët e koalicionit PAN nuk janë takuar për të vendosur rreth përfaqësimit të tyre në KQZ e ka konfirmuar edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.

“Në këtë drejtim ne nuk jemi takuar për të biseduar. Nuk kam ndonjë informacion që është biseduar për këtë punë”, ka thënë për “Zërin” Haxhiu

Në anën tjetër, ish-anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje Adnan Rrustemi ka konfirmuar se kjo parti tanimë i ka dërguar emrat e anëtarëve të saj në KQZ.

“Tashmë Lëvizja Vetëvendosje ka bërë nominimin e dy anëtarëve të KQZ-së që do ta përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe procedura tashmë ka filluar edhe nga Presidenca”, ka thënë Rrustemi.

PAN-i do të ketë problem në zgjedhjen e anëtarëve

Ish-kryesuesi i KQZ-së Mazllum Baraliu ka thënë se koalicioni PAN do të ketë vështirësi në përzgjedhjen e përfaqësuesve të saj në KQZ.

“Tash kemi në radhë të parë një problem, subjektet politike dhe PAN-i kanë një problem, sepse janë mbi 20 parti në atë koalicion dhe secila parti kërkon ta dërgojë përfaqësuesin atje e partitë politike janë shumë të interesuara që të kenë përfaqësues në KQZ dhe janë me vonesë”, ka thënë ai.

Kurse sa u përket vonesave për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, sipas Baraliut, ato janë shkaktuar nga vetë partitë politike.

“Vonesa në radhë të parë është shkaktuar nga subjektet politike, pra nga vetë përbërësit të themi kushtimisht të KQZ-së dhe mes delegatëve të tyre, sepse nuk i kanë dërguar me kohë, pra kemi një ngecje si mandatarë”, ka përfunduar ai.

Për ish-anëtarin e KQZ-së Blerim Burjanin kjo çështje është një lojë në mes partive politike.

Ai madje konsideron se edhe Grupi i Deputetëve të Pavarur duhet ta ketë përfaqësuesin e tyre në KQZ.

“...është formuar edhe Grupi i Deputetëve, që janë të pavarur. Edhe ata tash duhet ta kishin dikë aty, duhet ta kenë përfaqësuesin e tyre në KQZ”, ka thënë Burjani.