Aksion simbolik për shënimin e Ditës Kombëtare të Personave

Aktuale April 27, 2018 - 09:41
Lexo detajet

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë organizon sonte aksion simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur.

Sipas njoftimit, aksioni do të realizohet duke nisur nga ora 20:00 deri në ora 21:30, në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

“Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, 18 vite më parë, fati i mbi 1600 personave të cilët konsiderohen si të pagjetur ende nuk trajtohet me seriozitet nga Qeveria e Kosovës.

Kësisoj, familjarët e viktimave dhe shoqëria kosovare vazhdon të përballet me mohimin e së drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.

Fatkeqësisht në Kosovë nuk u kushtohet rëndësi e njëjtë viktimave, pa dallim etnie, prandaj, ne organizojmë aktivitete për këtë temë dy herë në vit; në Ditën Kombëtare për të Pagjeturit dhe në Ditën Ndërkombëtare e Zhdukjeve të Dhunshme.

Që nga viti 2008, YIHR KS është organizata e vetme rinore që në aktivitetet e veta e ngrit zërin edhe për viktimat jo-shqiptare të luftës.

Përkundër kërkesave të shoqërisë dhe familjarëve të personave të pagjetur, Qeveria e Kosovës u ka kushtuar rëndësi të veçantë temave të tjera por ka dështuar të fus këtë temë në dialogun e Brukselit, për shkak të mosinteresimit të palës serbe. Ne besojmë që shoqëria kosovare nuk do të mund të arrijë tek një paqe e qëndrueshme dhe pajtim pa u adresuar çështjet që lidhen me luftën, përfshirë fatin e personave të pagjetur.

Kjo njëherit është vërejtje për të gjitha qeveritë e pasluftës, të cilat kanë neglizhuar këtë çështje.

Që nga viti 2008, kemi kërkuar përkushtim nga faktorët relevant dhe angazhim më të madh për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ndonëse kemi hasur në vesh të shurdhër, kurse familjarët janë injoruar përmes deklaratave shterpe nga qeveritarët duke e trajtuar këtë çështje si krejt periferike”, thuhet në njoftim.

Sipas YIHR KS, ata nuk do të ndalen së përkrahuri familjarët e personave të pagjetur dhe përmes aksioneve simbolike do të mbajë aktuale këtë temë derisa ajo të trajtohet me seriozitetin e duhur.