Cuoci: KFOR-i e mbështet një forcë multietnike

Aktuale April 27, 2018 - 07:57
Lexo detajet

Komandanti i forcave të NATO-s në Kosovë, Salvatore Couci, ka përgëzuar Forcën e Sigurisë së Kosovës për ngritjen profesionale. Ai po ashtu ka përshëndetur rekrutimin e tridhjetë serbëve në kuadër të FSK-së, që ka ndodhur së fundi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Couci ka thënë se KFOR-i e mbështet ndërtimin e një force multientike. Këto deklarata ai i ka dhënë në konferencën “FSK-ja dhe partnerët”.

“Jam shumë i kënaqur që të gjithë në këtë tryezë janë të mendimit që njerëzit e Kosovës e mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar Couci.

Kurse kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se FSK-ja është e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe serbët. Sipas tij, roli i KFOR-it është garanci për siguri dhe stabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion, prandaj edhe formimi i ushtrisë së Kosovës, sipas Haradinajt, nuk e cenon rolin e tij.

“Gjithashtu transformimi i FSK-së nuk e prek as rolin e KFOR-it në Kosovë. Ata janë për sigurinë tonë dhe të regjionit. KFOR-i është ombrellë e madhe për sigurinë në Kosovë. Nuk do të dorëzohem kurrë për të dëshmuar që ky vend dhe kjo forcë është e të gjithëve”, është shprehur Haradinaj.

Ndërsa ministri i FSK-së Rrustem Berisha ka kërkuar nga të pjesëmarrësit në këtë tryezë mbështetje që Lista Serbe të kuptojë realitetin e ri dhe të jetë pjesë e transformimit të FSK-së në ushtri.

“Sa i përket transformimit, kemi bërë përpjeke të vazhdueshme që pjesë të jetë edhe komuniteti serb, jemi në përfundim, ndërsa një pjesë tjetër pritet të përfundohet pas marrjes së vendimit për transformim. Apeloj që të gjithë ju të na mbështetni në mënyrë që edhe Lista Serbe ta kuptojë realitetin e ri dhe të jetë pjesë e këtij transformimi”, ka deklaruar Berisha.

Berisha potencoi se synim i FSK-së është anëtarësimi në “Kartën e Adriatikut A5” dhe për ta bërë këtë ai ka thënë se kanë mbështetjen e partnerëve të tyre.

“Synojmë të anëtarësohemi në ‘Kartën e Adriatikut A5’, e kemi mbështetjen që të jemi të barabartë. Synojmë që në të ardhmen të mos jemi vetëm konsumues të sigurisë, por edhe kontribuues proaktiv të saj, sidomos në kërkim-shpëtim, në mbështetje mjekësore dhe në ngritjen e kampeve për refugjatë”, ka shtuar Berisha.

Ndërkohë Blerim Shala, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se presidenti është këmbëngulës që FSK-ja të transformohet me ndryshime kushtetuese.

“Ne ende nuk jemi takuar me Listën Serbe për shkak të ndikimeve nga Beogradi. Përmes një takimi do të binim në ujdi për një pako kushtetuese që do të përfshinte edhe Listën Serbe me procesin e transformimit”, ka deklaruar Shala.

Ndryshe, konferenca “FSK-ja dhe partnerët” fokusin e ka në planet bilaterale vjetore për vitin 2018 midis Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe partnerëve bilateralë, si dhe nevojat dhe kërkesat e FSK-së për zhvillim të mëtejshëm për 2019/2020.

Përveç përfaqësuesve të vendeve partnere, të ftuar në konferencë janë edhe ambasadorë të vendeve mike dhe partnerë, atashetë ushtarakë të akredituar në Prishtinë, përfaqësues nga Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, KFOR-i, nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), Ministria e Punëve të Brendshme (MBP), Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.