Rashiq: Me 'Zajednicën' 22 mijë serbë mbesin pa punë

Aktuale April 27, 2018 - 07:49
Lexo detajet

Ish-ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale i Republikës së Kosovës, Nenad Rashiq, gjatë një debati të organizuar nga “Aktiv” në veri të Mitrovicës ka sqaruar se me formimin dhe me funksionalizimin e Asociacionit të Komunave Serbe do të shuhen komunat serbe në Kosovë dhe pa punë do të mbesin mbi 22 mijë serb,  shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në kohën kur serbët e veriut të Kosovës, politikanë dhe liderë të serbëve të veriut të Kosovës, si dhe i gjithë shteti i Serbisë insistojnë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke e cilësuar atë si fitore të madhe për serbët, një ish-ministër serb në Qeverinë e Kosovës ka apeluar te serbët që të mos insistojnë në formimin e “Zajednicës”, duke e vlerësuar AKS-në si të dëmshme për vetë serbët e Kosovës.

LEXO EDHE: Zyra e Prokurorit Disiplinor, drejt shuarjes

Ish-ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale i Republikës së Kosovës, Nenad Rashiq, duke komentuar rezultatet e një ankete, sipas së cilës 40 për qind e serbëve të Kosovës janë të pavendosur rreth Marrëveshjes së Brukselit, ka sqaruar se sikur serbët të dinin se sa e pafavorshme është Marrëveshja për Formimin e “Zajednicës” mbi 80 për qind e tyre do të ishin kundër marrëveshjes dhe kundër “Zajendicës”.

“Serbët e Kosovës nuk kanë informacione të mjaftueshme, përndryshe përqindja e atyre që janë shprehur kundër marrëveshjeve të Brukselit do të ishte më e madhe. ‘Zajednica’ shpesh përmendet si fitore e madhe për bashkësinë serbe, sikurse dikur shqiptarët për pavarësinë e Kosovës. E vërteta është krejt ndryshe. Sikurse ky 40 për qind që nuk ka qëndrim të qartë ta dijë se në momentin e krijimit, ose kur do të vihen themelet e ‘Zajednicës’, nga ai moment institucionet e Serbisë në Kosovë, komunat serbe do të pushojnë së vepruari në Kosovë, atëherë kundër Marrëveshjes së Brukselit do të kishte shumë më shumë serbë”, ka thënë Rashiq gjatë debatit të organizuar nga organizata “Aktiv” në veri të Mitrovicës e ku ndodhej edhe analisti politik Behlul Beqaj.

“Problemi është se bisedimet paraqiten si fitore e ajo çka është tragjike është fakti se marrëveshja cilësohet si fitore e madhe për serbët. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se me themelimin e AKS-së humbësit më të mëdhenj do të jenë serbët e Kosovës. Nga ky proces ne më shumë humbim sesa fitojmë. A e dini se çfarë do të bëhet kur brenda natës në Graçanicë do të mbesin pa punë 1250 njerëz. Ky është gjenocid ekonomik dhe katastrofë. Në administratat lokale serbe që janë instaluar në Kosovë, sipas informatave që kemi, punojnë rreth 22 mijë veta. Në brenda natës mund të mbesim pa 22 mijë paga, ose 22 mijë shtylla të ekzistencës. Ky është problemi më i madh. Asnjë institucion nuk mund t’i punësojë 20 mijë punëtorë”, ka siguruar Rashiq.

Në anën tjetër Behlul Beqaj, ka thënë se integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës është ende larg të realizohet.

Ai ka thënë se falë marrëveshjeve të Brukselit janë shuar strukturat paralele dhe ka ardhur deri tek integrimi i gjyqësorit. Beqaj ka thënë gjithashtu se serbët e Kosovës, ndonëse të integruar në disa institucione nuk i njohin institucionet e Kosovës si të tyre.

“Në esencë integrimi është shumë larg të realizohet në pajtim me interesat e atyre që jetojnë në komunat me shumicë serbe, ndërsa se a do të ketë ndryshime do të varet nga shumëçka. Edhe shqiptarët thjesht nuk kanë gjetur zgjidhje për shumë çështje të hapura që kanë të bëjnë me kërkesat e serbëve”, ka thënë Beqaj.

Ai ka shtuar se dialogu në Bruksel në masë të madhe është komprometuar, më së shumti nga ata që kanë qenë bartës të dialogut e jo nga qytetarët për të cilët bisedohet.