Zyra e Prokurorit Disiplinor, drejt shuarjes

Aktuale April 27, 2018 - 07:43
Lexo detajet

Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve po e dërgon drejt shuarjes Zyrën e Prokurorit Disiplinor, duke ua dhënë kështu të gjitha kompetencat Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe Ministrisë së Drejtësisë. Me këtë projektligj nuk pajtohen në ZPD dhe njohës të çështjeve të drejtësisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Nëse Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve do të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Zyra e Prokurorit Disiplinor do të shuhet përfundimisht.

Ky projektligj pritet të jetë në duar të deputetëve në fillim të muajit maj. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji parashihet që hetimet për shkeljet disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilat deri tash i ka bërë ZPD-ja, t’i bëjnë vetë Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

LEXO EDHE: Demarkacioni kaloi, korrigjimi ende s’ka nisur

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri i ka thënë gazetës “Zëri” se ky Projektligj do të votohet në Kuvend në maj. “Më 3 maj do të jetë pikë e rendit të ditës në Kuvend”, u shpreh ministri Tahiri.

Por, zyrtarë nga Zyra për Informim e Ministrisë së Drejtësisë përmes një përgjigjeje elektronike kanë dhënë më shumë detaje të këtij projektligji, ku sipas tyre risi në këtë Projektligj është mandati i Këshillit Gjyqësor e Këshillit Prokurorial për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve, gjegjësisht prokurorëve, si organ i shkallës së parë.

MD-ja vlerëson se me këtë projektligj do të rritet pavarësia dhe transparenca dhe pranon se me këtë përfundimisht shuhet ZPD-ja.

“Një gjë e tillë siguron pavarësi më të madhe, transparencë, por edhe përgjegjësi. Pra, vetë këshillat do të jenë përgjegjës për ngritjen e kualitetit brenda sistemit gjyqësor, respektivisht prokurorial, politikat e të cilëve udhëheqin. Vlen të ceket se për herë të parë rregullohet me ligj të veçantë disiplinimi i akterëve kyç të gjyqësorit dhe Prokurorisë, e me këtë shuhet Zyra aktuale e Prokurorit Disiplinor”, thuhet në përgjigjet e MD-së.

Ky projektligj, sipas tyre, parasheh shkeljet disiplinore, procedurat për fillimin e hetimeve, si dhe procedurat disiplinore pranë këshillave respektivë, duke mos anashkaluar mjetet juridike përmes Gjykatës Supreme të Kosovës.

Më tutje, sipas MD-së, rregullimi i këtillë i përgjegjësive disiplinore mundëson dy gjëra, u jep pushtet më të gjerë dhe pavarësi më të madhe këshillave gjyqësorë, por edhe i obligon në përgjegjësi lidhur me disiplinimin e akterëve të gjyqësorit dhe Prokurorisë.

KGJK: Zgjedhja e drejtorit të ZPD-së varet nga ligji i ri

Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) Nehat Idrizi nuk e mohon faktin se me ligjin e ri do të shuhet ZPD-ja. Ai madje tha se edhe zgjedhja e drejtorit të ZPD-së po zvarritet për shkak të ligjit të ri.

“Në çfarë faze është nuk e dimë, por e di që është në Kuvend. Aktualisht kemi ushtrues detyre të drejtorit të ZPK-së, deri sa të nxirret ligji, kur të nxirret ligji, atëherë në bazë të tij do ta zgjedhim drejtorin e ri. Varet si do të rregullohet me ligj, sepse ndoshta nuk do të jetë më siç ka qenë deri tash, por varësisht prej legjislacionit të ri, ashtu do të veprojmë”, thotë Idrizi.

ZPD: Ky projektligj si i tillë nuk do të duhej të kalonte në Kuvend

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Arianit Salihu, thotë se

Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve nuk ka kaluar në Komisionin për Legjislacion. Salihu thotë se si i tillë që është, ky projektligj nuk do të duhej të kalonte as në Kuvend.

Ai thotë se hetime disiplinore duhet të zhvillohen nga një institucion i pavarur, siç është aktualisht ZPD-ja.

“Kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët, ashtu siç është përcaktuar me këtë projektligj, nuk mund të trajtojnë parashtresa për sjelljen e mundshme të pahijshme të gjyqtarëve apo prokurorëve me të cilët punojnë çdo ditë. Po ashtu është e papranueshme që i njëjti organ të vendosë për zhvillimin e hetimeve disiplinore për gjyqtarë e prokurorë dhe po i njëjti organ të jetë kompetent për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre”, thotë Salihu.

Ai thotë se ministri i Drejtësisë me këtë projektligj bëhet palë në procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Salihu shprehet i shqetësuar nëse ky ligj miratohet në Kuvend. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte forcimi i ZPD-së dhe jo shuarja.

“Kjo e dëmton pavarësinë e gjyqësorit, të Prokurorisë dhe paanshmërinë e tyre. Zyra e Prokurorit Disiplinor është organ i pavarur, që e ka kryer këtë funksion në mënyrën më të mirë të mundshme dhe profesionale qe 16 vjet”, shprehet Salihu.

Haxhiu: Me këtë projektligj i jepet fuqi Ministrisë së Drejtësisë

Kundër këtij projektligji është edhe deputetja e Vetëvendosjes dhe kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu, e cila thotë se ky komision ka rekomanduar për mosvotim të këtij projektligji në Kuvend.

“Ne kemi trajtuar në Komision këtë projektligj. Kemi vendosur që t’i rekomandojmë seancës për mosvotim, pasi që qëllimi i këtij projektligji është shuarja e ZPD-së dhe dhënia e kompetencës KGJK-së dhe KPK-së që t’i trajtojë shkeljet disiplinore ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve”, shprehet Haxhiu.

Edhe pse thotë se nuk është aspak e kënaqur me punën e ZPD-së, Haxhiu shprehet se ky projektligj nuk është zgjidhje e mirë. Ajo thotë se për ta adresuar këtë është dashur të ekzistojë ligj i veçantë për ZPD-në.

“Së pari, nëse pyetem unë, kam qenë e kënaqur me punën e ZPD-së, pra është e vërtetë që ZPD-ja ka pasur shumë probleme në funksionim edhe për shkak të kapaciteteve, por edhe për shkak se s’ka pasur një ligj të veçantë me anë të së cilit është rregulluar fushëveprimtaria e ZPD-së dhe mendoj që qëllimshëm e kanë lënë asisoj në mënyrë që të humbet fuqia e tij në raport me shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve” thotë Haxhiu.

Shqetësues për të është se me këtë projektligj i jepet fuqi Ministrisë së Drejtësisë.

“Projektligji që është proceduar ka shumë probleme. Së pari, në gjendjen në të cilën është sistemi i drejtësisë, është rrezik nëse shkeljet disiplinore do t’i trajtonte KPK-ja dhe KGJK-ja. Por po ashtu fuqia që i është dhënë Ministrisë së Drejtësisë me anë të këtij projektligji për mua përbën problem”, shton ajo.

Sipas këtij projektligji, ajo thotë se personat fizikë apo juridikë ankesat për gjyqtarët dhe prokurorët i dërgojnë në Ministri të Drejtësisë.

“Shtrohet pyetja se pse duhet ta dijë ministri i Drejtësisë për këto shkelje? Çfarë kërkon MD-ja në këtë çështje? Dhe pse insiston ta ketë rolin e ndërmjetësuesit? Ka edhe probleme të tjera, andaj këto janë arsyet se pse ne nuk e kemi përkrahur në Komision, përveç mazhorancës”, pohoi ajo.

Haxhiu ua lë deputetëve të vendosin për këtë projektligj, duke besuar që do të merret në konsideratë rekomandimi i Komisionit për Legjislacion.