Demarkacioni kaloi, korrigjimi ende s’ka nisur

Aktuale April 27, 2018 - 07:30
Lexo detajet

Për më shumë se një muaj pas miratimit të Demarkacionit në Kuvend Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndërmarrë hapa për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, ndonëse një gjë e tillë ishte premtuar. Zyrtarë të ekzekutivit thonë për “Zërin” se së shpejti do ta nisë punën Task Forca e përbashkët për kufirin, pjesë e së cilës do të jetë ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pas më shumë se një muaji prejse është ratifikuar Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi (21 mars) Qeveria e Kosovës ende nuk ka nisur punën për rishikimin (korrigjimin) e Marrëveshjes së Vjenës, ndonëse premtojnë se një gjë të tillë do ta bëjnë shumë shpejt.

Zyrtarët e ekzekutivit të vendit kanë njoftuar për “Zërin” se tashmë janë duke i bërë përgatitjet për krijimin e një Task Force të përbashkët mes të dyja vendeve për të nisur punën e korrigjimit të Marrëveshjes për pikat kontestuese.

Me këtë rast nga Qeveria kanë thënë se Komisioni Shtetëror, i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi, do të jetë ai i cili do të marrë pjesë në rishikimin e Marrëveshjes së 2015-ës.

Edhe Bulliqi ka pohuar për gazetën “Zëri” se aktualisht janë duke zhvilluar takime të rregullta me Qeverinë e Kosovës sa i përket kësaj çështjeje.

Nga ana tjetër, përderisa nga LDK-ja kanë konsideruar se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë vlerësuar se paralajmërimi i Qeverisë për rishikim tregon qartazi se marrëveshja në fjalë është e dëmshme. Ndërkaq njohësit e çështjeve politike janë shprehur të vendosur se korrigjimi i Marrëveshjes është i pamundshëm të realizohet. 

Arifi: Po bëhen përgatitjet për rishikimin e Marrëveshjes

Avni Arifi, shef i stafit të kryeministrit Ramush Haradinaj, gjatë një bisede për “Zërin” ka njoftuar se korrigjimi i Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi do të nisë shumë shpejt.

“Do të fillojë shumë shpejt besoj. Kryeministri ka takuar Komisionin Shtetëror disa herë, po bëhen përgatitjet për krijimin e një Task Force të përbashkët, besoj që për një kohë relativisht të shkurtër do të fillojë punën drejt korrigjimit apo drejt rishikimit”, ka deklaruar ai.

I pyetur se kur do të ndodhë një gjë e tillë, Arifi ka thënë se ende nuk ka ndonjë afat të përcaktuar.

“Nuk është kjo me afat kohor, është një marrëveshje bilaterale, ne ende nuk kemi caktuar një datë të tillë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, ka bërë të ditur se Komisioni Shtetëror, i cili drejtohet nga Shpejtim Bulliqi, do të jetë ai që do ta kryejë punën e rishikimit.

“Është Komisioni Shtetëror që është përcaktuar, Komisioni Shtetëror e bën këtë punë”, ka nënvizuar Arifi.

Bulliqi: Kemi takime të rregullta me Qeverinë

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, edhe drejtuesi i Komisionit Shtetëror Shpejtim Bulliqi ka deklaruar se Komisioni ka zhvilluar takime rregullisht me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës sa i përket çështjes së rishikimit. 

“I kemi takimet e rregullta, vazhdojmë sigurisht, për gjërat e tjera do të shohim në të ardhmen”, ka deklaruar ai.

Bulliqi më tej ka thënë se Komisioni Shtetëror do ta kryejë punën për të cilën edhe është caktuar.

“Komisioni i përhershëm është Komision Shtetëror, e bëjmë punën për të cilën jemi të thirrur konform rregullativës ligjore. Takimet i kemi të rregullta, jemi në kontakte se jemi pjesë e Qeverisë”, ka potencuar ai, duke thënë se nuk e di saktë se kur do të fillojë korrigjimi. 

Haziri: Nuk pres të korrigjohet Demarkacioni

Pavarësisht këtyre, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka konsideruar se korrigjimi i Marrëveshjes së Demarkacionit nuk do të realizohet.

“Me ratifikim çështja mund të konsiderohet tashmë e mbyllur. Sipas letrës së presidentëve, nëse shtetet kanë pajtueshmëri që të diskutojnë ndonjë çështje është plotësisht legjitime, por unë nuk pres që do të ndodhë asgjë”, ka theksuar ai në një prononcim për gazetën.

Kjo pasi, sipas tij, Marrëveshja e Vjenës është e drejtë dhe me anë të saj Kosova nuk humb fare territor. 

Megjithatë, sipas tij, Kosova e Mali i Zi janë fqinj në mes vete dhe mund ta shikojnë një gjë të tillë sa herë që mendojnë se është e nevojshme.

“Natyrisht se me një akt nuk mbyllet gjithçka, ne duhet të jemi fqinj dhe sa herë që ka nevojë ta shohim këtë proces”, ka potencuar Haziri.

Kurti: Votimi pro Demarkacionit, dëmtim me paramendim

Ndërkaq Tinka Kurti, anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ka konsideruar se zotimi i Qeverisë se rishikimi do të ndodhë tregon më së miri se Marrëveshja e Demarkacionit ka qenë e dëmshme.

“Pozicionimi pro Marrëveshjes me veprime konkrete e deklarativisht kundër saj nuk është vetëm joserioze, por edhe tallëse. Në këtë rast, veprimet peshojnë më shumë sesa deklaratat, ndaj këto të fundit janë jorelevante kur bëhet fjalë për këtë qeveri. Qasja e tillë përmban edhe një masë hipokrizie. Për më keq, ky është një lloj pohimi se Marrëveshja është e dëmshme”, ka deklaruar Kurti për “Zërin”.

Një gjë e tillë, sipas saj, do të thotë që votimi pro Marrëveshjes ka qenë dëmtim me paramendim dhe me vetëdije të plotë.

Halitaj: Gjasat që korrigjimi të ndodhë thuajse nuk ekzistojnë

Në anën tjetër Agron Halitaj, njohës i çështjeve politike, ka vlerësuar se nuk mund të ndodhë asnjë hap drejt rishikimit të Marrëveshjes pa dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Marrëveshja për Demarkacionin është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe ky organ ende nuk ka nxjerrë kurrfarë aktgjykimi për këtë lëndë. Pa e dhënë fjalën e vet Kushtetuesja nuk pritet që të ketë ndonjë lëvizje në terren”, ka thënë ai.

Madje sipas Halitajt, edhe pas deklarimit të Kushtetueses gjasat që korrigjimi të realizohet janë thuajse të pamundshme.

“Praktikisht, gjasat që të ndryshojë diçka rreth vijës kufitare thuajse nuk ekzistojnë edhe kur Gjykata ta japë një përgjigje. E gjithë ‘beteja’ ka qenë që Marrëveshje të kalojë ashtu siç e ka nënshkruar Hashim Thaçi në cilësinë e ministrit të Jashtëm dhe ashtu siç kanë kërkuar faktorët ndërkombëtarë me ndikim. Palët që e kanë mbështetur këtë marrëveshje kanë bërë kompromise dhe tash për tash më shumë janë të interesuara që t’i përmbushin kushtet e vëna në kompensim të votës sesa që janë të interesuara për një rishikim të mirëfilltë të vijës kufitare”, ka theksuar Halitaj gjatë analizës së tij.