Dy opsione për emrin e partisë së re

Aktuale April 26, 2018 - 18:40
Lexo detajet

Pas shkëputjes nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e grupit të njohur tashmë si GDP (Grupi i Deputetëve të Pakënaqur), janë vënë në përpjekje intensive për të themeluar partinë e re.

Deputetë të kësaj partie kanë konfirmuar disa herë në paraqitje mediale se partia e re është në fazën e fundit të themelimit, e pas kësaj qytetarët do të mësojnë më shumë rreth orientimit dhe emrit të saj.

Partia e re do të jetë socialdemokrate për nga pikëpamja politike, mirëpo Periskopi mëson se brenda Grupit të Deputetëve të Pavarur janë duke u zhvilluar diskutime të shumta mbi emrin e partisë së re.

Për emrin e partisë që pritet të themelohet në tavolinë janë dy opsione.

Njëri propozim është që partia e re të ketë emrin “Demos”, që në Greqinë e lashtë kishte kuptimin “popull”, si masë popullore e angazhuar politikisht në kushte demokracie. Një parti me këtë emër tashmë ekziston në shtetin fqinjë, në Mal të Zi. Demos – Aleanca Demokratike, është themeluar në vitin 2015 nga Miodrag Lekiq, i cili me një grup tjetër politikanësh ishin ndarë nga Fronti Demokratik në Mal të Zi.

Sigurisht, simbolika e këtij emri asocion me popullin, marrë parasysh edhe orientimin socialdemokrat të partisë së re, por sipas burimeve të Periskopit, brenda grupit të deputetëve të dalë nga Vetëvendosje ka më shumë disponim për një emër tjetër, të cilin tashmë e mbanë një parti ekzistente në Kosovë.

Është emri i partisë (PSD –Partia Social Demokrate) që e drejton Kaqusha Jashari, atë që e dëshiron GDP-ja.

Periskopi mëson se zyrtarë të GDP-së janë në bisedime të vështira me Kaqusha Jasharin për të marrë emrin e partisë së saj, për shkak të kushteve që ajo po u paraqet 12 deputetëve të GDP-së.

Madje, mësohet se në disa raste zyrtarët e GDP-së i janë lutur Jasharit për të arritur një kompromis.

Kushtet e saj kanë të bëjnë me vendimmarrjen brenda partisë dhe fuqizimin e disa personaliteteve neojugosllave brenda partisë, që nuk kanë zënë vend as në LDK. Ajo kërkon përfshirjen e tyre në hierarki në partinë e njëjtë por të reformuar, po që se do të arrihej marrëveshja.

Vetë Kaqusha Jashari ka kërkuar që të jetë në Kryesinë e partisë të cilën tashmë e drejton dhe nuk dihet nëse marrëveshja është arritur duke respektuar këtë kërkesë të saj.

Sot, mediat aksidentalisht zbuluan logon e reformuar të PSD-së në telefonin e Fisnik Ismailit, përderisa ishte në Kuvend.

Periskopi mëson se partia e re do të themelohet brenda muajit të ardhshëm, maj.