Eskalon Shesheli, e shan me nënë deputeten serbe

Aktuale April 26, 2018 - 18:35

Lideri i Partisë radikale serbe, Voisllav Sheshel, ishte në qendër të vëmendjes pasi përdhosi flamurin kroat dhe shau delegacionin e Kroacisë në Beograd.

Ky veprim i tij  çoi në tensionimin e raporteve ndërmjet dy shteteve.

Tensionet po konsiderohen si më të ashprat që nga përfundimi i luftës në ish-Jugosllavinë.

Por,  përkundër asaj që ka shkaktuar tensione, Sheshl  nuk ka përtuar të fyejë as deputetët e Kuvendit të Serbisë.

Sharje e ofensime ai i ka drejtuar personalisht deputetes serbe  Marinika Tepiq.

Deputetja serbe gjatë diskutimit ka pyetur prokuroren Zagorka Dolovac nëse do të marrë nismën për ndalimin e Partisë Radikale Serbe, pas vendimit të Tribunalit të Hagës për të dënuar me 10 vjet burg Sheshelin, për shkak të krimeve të luftës.

Sheshel reagoi ndaj kësaj deklarate duke e fyer deputeten me fjalët: “… nënën e usteshes”.

Gjithë kjo është xhiruar përmes telefonit nga deputeti i DS-së, Radoslav Milojiçiq, të cilin Sheshel po ashtu e ka sharë në të njëjtën mënyrë.

Kryesuesi i seancës Verolub Arsiq nuk ka reaguar dhe Milojiçiq thotë se ai “nuk kishte dëgjuar sharjet”.

Pas vendimit të Qeverisë së Serbisë për të shpallur person të padëshiruar ministrin kroat të Mbrojtjes, është deklaruar për media edhe shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq.

Ai ka thënë se nëse Kroacia tërheq ambasadorin e saj nga Beogradi, Serbia do të ndërmarrë masa reciproke duke tërhequr ambasadorin nga Zagrebi.

Deklarata e tij vjen në valën më të re të tensioneve ndërmjet dy shteteve, pasi kryeradikali serb Voisllav Sheshel përdhosi flamurin kroat dhe shau delegacionin e Kroacisë në Beograd.

Sot më herët mediat kroate raportuan se Zagrebi do të tërheqë ambasadorin e saj në Serbi, duke iu referuar burimeve nga qeveria nëse Serbia e shpall person të padëshiruar ministrin e Mbrojtjes Damir Krstiçeviq.

Ndërkohë që qeveria serbe ka marrë vendim për një gjë të tillë, Daçiq tha se marrëdhëniet e dy vendeve janë esenciale për stabilitetin e rajonit.