Krerët institucionalë, të bindur se liberalizimi ndodh këtë vit (VIDEO)

Aktuale April 26, 2018 - 08:58
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha përsëritën qëndrimin se Kosova këtë vit do ta marrë liberalizimin e vizave. Ndërsa përfaqësuesit e BE-së thonë se duan të shohin më shumë rezultate në sistemin e drejtësisë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Krerët institucionalë janë shprehur të bindur që Kosova gjatë këtij viti do të arrijë ta marrë liberalizimin e vizave, megjithëse përfaqësueses të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtina lënë të kuptohet që Kosova ende ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Këto qëndrime janë shprehur në konferencën e djeshme me titull: “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i reformave, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian”, ku morën pjesë të gjithë krerët e shtetit, liderë të partive politike, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë, shkruan më tutje "Zëri".

Apostollova: Duam më shumë progres në fushën e drejtësisë

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalia Apostollova, duke folur për Strategjinë e Zgjerimit të BE-së të këtij viti, ka thënë se Kosova aty është përmendur si shtet i pavarur dhe kjo gjë duhet të shfrytëzohet nga Kosova.

LEXO EDHE: Tryeza e LDK-së, pa konsensus për zgjedhje të parakohshme (VIDEO)

“Kosova është njëri nga 6 partnerët që përmendet në mënyrë të jashtëzakonshme në këtë raport dhe përmendet si një shtet i pavarur. Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë gjë e t’i bindë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën që ta njohin atë”, theksoi Apostollova.

Ndërsa duke folur për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Apostollova ka thënë se ky raport është udhërrëfyes për Kosovën, që bën të qartë që rruga e Kosovës drejt BE-së nuk është e lehtë.

Apostollova mes të tjerash ka përmendur si sukses të Kosovës, të përmendur edhe në Raport të Progresit, kalimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend, por ka shtuar se ky raport gjithashtu thekson shumë çështje të hapura për Kosovën.

“Në fushën e drejtësisë duam të shohim më shumë progres. Po ashtu reformës në administratën publike duhet t’i kushtohet rëndësi dhe ne do t’i rishikojmë të gjitha kriteret për këtë reformë. Mendoj që ekziston një momentum, jam e kënaqur që platforma e re për Kosovën është duke u përgatitur dhe shpresoj që të gjitha partitë të punojnë në këtë drejtim”, ka thënë Apostollova.

Por pavarësisht kësaj ajo theksoi se rruga e Kosovës drejt integrimit në BE nuk duhet të jetë e lehtë, por që BE-ja mbetet e përkushtuar ta ndihmojë atë në këtë rrugë.

Thaçi: BE-ja nuk e pranon Kosovën e Serbinë pa i mbyllur çështjet e vjetra

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosovës i mungon një plan strategjik që qartëson agjendën shtetërore, ndonëse ka thënë edhe se i mirëpret platformat e liderëve politikë në Kosovë, që po prezantohen së fundmi.

“I mirëpres këto platformat sa i përket aktualitetit dhe agjendës planifikuese për të ardhmen dhe në veçanti përpjekjeve për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë të mundshëm për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi”, ka thënë Thaçi në konferencën rajonale “Dekada e ardhshme e Kosovës, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në BE”.

Presidenti Thaçi shtoi se politika kosovare ka një pjekuri politike, mirëpo përcillet me thashetheme dhe me spekulime, si në tërë rajonin.

“Për bindjen time, në politikën kosovare ka një pjekuri politike dhe në të njëjtën kohë si në tërë rajonin kjo politikë përcillet me thashetheme, spekulime dhe më pak ka mendime, debate të mirëfillta se ku jemi si politikë, si institucione, si shoqëri civile dhe medie kosovare”, ka thënë Thaçi.

Ai po ashtu ka thënë edhe se institucionet e vendit kanë jetuar në një brishtësi, duke përmendur hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

“Kam besim se ditët dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtare për vendin në shumë aspekte, si dhe në konsolidimin dhe në forcimin e shtetit të Kosovës. S’duhet të fokusohemi në politika ditore apo javore, por në politikë konsensuale”, ka thënë Thaçi.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ai ka thënë se i kupton dhe i respekton kritikët e dialogut, porse Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën, as Serbinë pa i përmbyllur çështjet e hapura në mes vete.

Haradinaj: Në fund të këtij viti Kosova e fiton liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në këtë konferencë përsëriti qëndrimin e tij për liberalizmin e vizave për Kosovën, duke thënë se ai beson që këtë vit Kosova do ta fitojë këtë të drejtë.

“Në fund të këtij viti Kosova besoj e fiton një të drejtë, atë të liberalizimit të vizave. Deri në fund të këtij viti mund të ndodhin avancime të mëdha me shtetin serb, edhe pse kjo është një marrëveshje sfiduese”, ka thënë ai.

Haradinaj, duke folur për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, ka thënë se më shumë i është dhënë rëndësi Serbisë për shkak edhe të Rusisë.

“BE-ja është e fortë aq sa është hallka e saj më e dobët, fatkeqësisht kjo hallkë jemi ne, pra Ballkani Perëndimor. Janë disa aspekte që nuk varen nga ne, një pjesë e energjisë duhet të vijë nga Uashingtoni, Brukseli dhe nga Berlini për shkak të pozitës që kanë”, ka theksuar Haradinaj.

Hoxha, optimiste se sivjet hiqen vizat

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Duke folur për Raportin e Komisionit Evropian, Hoxha ka thënë se ky raport shërben si udhërrëfyes për vendin se ku janë prioritetet e dhëna në përshpejtimin e reformave, që veç kanë filluar.

“Me publikimin e raportit të vendit Qeveria ka reaguar menjëherë, duke i identifikuar sfidat dhe rekomandimet që kanë dalë nga raporti i vendit, kemi dhënë afate kohore, ua kemi dhënë përgjegjësitë të gjitha atyre që janë të përmendura në mënyrë direkte ose indirekte”, ka thënë ajo.

Hoxha gjithashtu shtoi se javën e ardhshme presin misionin vlerësues nga KE-ja, për të cilin ajo shprehet optimiste se do t’ua sigurojë qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave.

“Me publikimin e Raportit të Progresit për vendin Qeveria ka vepruar dhe kemi përgatitur një plan veprimi. Janë një mori gjërash që kanë ndërtuar një momentum të ri. Me miratimin e çështjes së demarkacionit në Kuvend Kosova veç ka krijuar një mometum të ri. Ne jemi të bindur që qytetarët tanë brenda këtij viti nuk do të jenë qytetarët e vetëm pa viza në rajon”, theksoi ajo.