Tryeza e LDK-së, pa konsensus për zgjedhje të parakohshme (VIDEO)

Aktuale April 26, 2018 - 08:45
Lexoni më shumë detaje

Pavarësisht se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte paralajmëruar se në tryezën e përbashkët mes partive politike do të diskutohej për caktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë takimit të djeshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kështu të paktën ka deklaruar nikoqiri i këtij takimi, nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk ka qenë fare në rend dite. Megjithatë, disa prej pjesëmarrësve të tjerë kanë pohuar të kundërtën, duke thënë se gjatë takimit është diskutuar për zgjedhje, porse siç kanë thënë ata, partitë politike vetëm kanë shpërfaqur qëndrimet e tyre sa i përket kësaj çështjeje.

LEXO EDHE: Nis ndërtimi i 'Aqua Parkut' në Mitrovicë, 7 milionë euro investime

Ndërkohë, pas takimit është bërë e ditur se subjektet janë dakorduar vetëm për një çështje: që takimet e llojit të tillë të organizohen edhe në të ardhmen, me rotacion.

“Diskutuam problemet aktuale që na preokupojnë bashkërisht dhe është një fat i mirë që kësaj tryeze i janë përgjigjur të gjitha subjektet politike. Në fund jemi marrë vesh që tryezat të fillojnë me një rotacion nga subjektet që janë të interesuara të organizojnë tryeza të tilla. Ndoshta tryeza e ardhshme do të jetë në javën e ardhshme. Pastaj në to do t’i konkretizojmë temat dhe të bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje, të ketë konsensus për çështjet që janë në interes të Kosovës”, deklaroi Veliu pas takimit.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se duhet të ketë një gjithëpërfshirje të skenës politike për t’u dhënë epilog shumë çështjeve të interesit nacional.

“Në mënyrë që të kalojmë sa lehtë, veçanërisht ato që ndërlidhen me temat siç është themelimi i ushtrisë, dialogu, themelimi i Asociacionit, procesi i reformës së përgjithshme të integrimit evropian dhe i reformës zgjedhore”, theksoi ai.

Krasniqi më tutje bëri të ditur se shumë shpejt do të thirret takimi i radhës nga PDK-ja, i cili do t’i mbledhë sërish të gjitha subjektet politike.

“Do ta thërrasim shumë shpejt një takim të radhës për të dalë një hap më tutje, për të dalë përtej shpërfaqjes së pikëpamjeve të partive politike, të ecim përpara për temat që janë të rëndësisë nacionale”, nënvizoi ai.  

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të GDP-së, Dardan Sejdiu, e cilësoi si pozitiv faktin që tash e tutje do të organizohen më shumë takime të llojit të tillë, ku të gjitha partitë do të mblidhen për të diskutuar.

“Besoj që është një hap përpara meqë po ndodh një takim i të gjitha partive politike parlamentare dhe joparlamentare, të gjitha komunitetet ishin këtu, duke përjashtuar Listën Serbe, ndonëse patëm një përfaqësues të serbëve”, tha Sejdiu.

Ai më tej u shpreh i vendosur se takimet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“U diskutuan qëndrimet e subjekteve mbi temat që po konsiderohen të mëdha. Unë si përfaqësues i GDP-së shpërfaqa që ndër temat kryesore që duhet të diskutohet është edhe modeli ekonomik që e kemi në këtë republikë”, u shpreh ish-deputeti i LVV-së.

Për dallim prej Agim Veliut, i cili tha se nuk është diskutuar për zgjedhje, Sejdiu e pohoi të kundërtën.

“Në takim u diskutua secila temë, duke përfshirë edhe temën e zgjedhjeve, por secili subjekt i shpërfaqi mendimet e veta mbi këtë temë”, shtoi ai.

Kurse duke folur rreth zgjedhjeve, deputeti i AAK-së Blerim Kuçi vlerësoi se Qeveria është duke funksionuar siç duhet.

“Qeveria po funksionon, i ka mbi 61 deputetë, opozita e ka mundësinë ta rrëzojë Qeverinë, por nuk e shfrytëzon, ajo është e drejtë kushtetuese”, deklaroi Kuçi.

Në anën tjetër duke iu referuar asaj që u bisedua në takim, Ilir Deda, deputet i Alternativës, tha se tryezat e tilla dëshmojnë se partitë kanë kuptuar se temat e mëdha duhet të zgjidhen me konsensus nacional.

“Duhet të jemi të kënaqur që vetëdija e partive politike është në atë nivel që është kuptuar që konsensusi nacional është më se i nevojshëm për çështjet e mëdha”, potencoi Deda.