Ultimatumi i BE-së për Kosovën

Aktuale April 25, 2018 - 18:25
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Bashkimi Evropian ua ka bërë të qartë institucioneve të Kosovës se i kanë vetëm edhe katër muaj që ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kjo deklaratë e tyre vjen pasi këshilltari politik i Presidentit Thaçi, Blerim Shala, deklaroi se nuk do të ketë formim të Asociacionit, pa u nënshkruar marrëveshja finale me Serbinë.

Edhe zv.kryeministri Hoxhaj vlerësoi se ky mekanizëm duhet të mos formohet në këtë kohë. Ndërkaq BE’ja pret që kjo të kryhet pa asnjë vonesë.

Këshilltari politik i Presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala, tha ditë më parë se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe nuk do të bëhet pa u nënshkruar marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 “Nuk do të bëhet Asociacioni pa e bërë marrëveshjen obligative, këtë e them fare hapur’, kishte thënë Shala në Pressing të T7.

Megjithëse nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dashur të tregojnë nëse janë në linjë të njëjtë sikurse edhe nga Presidenca,

Për Express ata kanë thënë se nuk i komentojnë deklaratat mediatike. Sidoqoftë, e qartë se çfarë duhet të ndodh më Asociacion e Komunave Serbe, është treguar Bashkimi Evropian si ndërmjet 137sues i dialogut Kosovë – Serbi.

Maja Kocijancic, zëdhënëse e BE-së, ka thënë për Gazetën Express se presin që marrëveshja e Asociacionit  të zbatohet plotësisht pa ndonjë vonesë të mëtejshme.

Marrëveshja, siç shprehet ajo,  parashikon që statuti të hartohet brenda 4 muajve pas fillimit të procesit të hartimit.

“Kryeministri i Kosovës i ka dhënë një mandat ekipit menaxhues për të filluar hartimin më 4 prill”, ka deklaruar Kocijancic.

Kjo zyrtare e BE’së e citon Federica Mogherinin, përfaqësuesen e lartë për politikë të Jashtme, e cila më 19 prill iu referua nevojës për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura pesë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit.

Ajo kishte thënë se e sheh këtë si bazën më të besueshme për të bërë punë të mëtejshme në fazën e re të dialogut.

“Shumë punë ende nevojitet, duke përfshirë krijimin e Asociacionit / Komunitetit të Komunave me shumicë serbe dhe gjithashtu zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë”, është shprehur Mogherini.

Por kundër formimit të Asociacionit këtë kohë, është shprehur edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Sipas tij, krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të bëhet paralelisht me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Zyrtari i PDK’së deklaroi se, Kosova nuk duhet të nxitohet ta formojë këtë mekanizëm dhe ai duhet të bëhet funksional vetëm atëherë kur vendi ta ketë marrë ulësen e tij si anëtar me ta drejta të plota në OKB.

“Meqë Asociacioni synon ta avancojë pozitën e serbëve në Kosovës, unë jam i mendimit se themelimi i tij, de fakto duhet të ndodhë paralelisht me anëtarësimin e Kosovës në OKB, kur Kosova ta marrë një status juridik dhe njohje ndërkombëtare të plotë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj shtoi se nuk është me rendësi se çështja e Asociacionit a do të futet në një pako të një marrëveshje finale të dialogut me Serbinë, por ajo sipas tij, duhet të ecë si një proces paralel.