Partitë politike pa konsensus për zgjedhje të parakohshme

Aktuale April 25, 2018 - 17:50
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Me ftesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, partitë politike të Kosovës kanë marrë pjesë në një takim të përbashkët për të shqyrtuar gjendjen e krijuar në vend.

Ndonëse fillimisht ishte paralajmëruar se në takim do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend, përfaqësuesi i partisë politike nikoqire e takimit, Agim Veliu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike e Kosovës, ka theksuar se takimi nuk është ftuar që të diskutohet për zgjedhje të parakohshme, por për të diskutuar me subjektet politike dhe të bëhet përpjekje që të gjenden zgjidhjet për çështjet që janë me interes për Kosovën.

“Ne jemi të interesuar që çështjet madhore për Kosovën t’i diskutojmë dhe së bashku të gjejmë zgjidhje. Ne po bëjmë përpjekje që ta japim kontributin tonë, që ta arrijmë një konsensus nacional për këto tema dhe pastaj, nëse nuk arrihet, ne sigurisht që do ta diksutojmë në forumet tona dhe do të marrim qëndrim”, tha Veliu.

Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se takimi i ftuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe temat e diskutuara në takim, kanë rastisur të kenë ngjashmëri me ftesën që ka bërë ditë më parë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, për një platformë gjithpërfshirëse dhe konsensus për temat kombëtare.

“Pajtohemi se duhet të ketë një pjesëmarrje, një gjithpërfshirje, një konsensus të partive politike, të spektrit më të gjerë politik, në mënyrë që t’i kalojmë ato në një mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë. Veçanërisht, ato që ndërlidhen me temat siç janë: themelimi i ushtrisë, procesi i dialogut për normalizimin e marëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, procesi i reformës së përgjithshme në kuadër të integrimin evropian, si dhe reforma zgjedhore”, tha Krasniqi.

Ai ka shtuar se tash nuk është koha për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se qëndrimi i PDK-së është se ky mandat qeverisës duhet të shkojë deri në fund.

Dardan Sejdiu, shef i Grupit të Deputetëve të Pavarur, thotë se takimi i përfaqësuesve të partive politike, ka ardhur pas kontekstit të ri të krijuar pas largimit të deklaruar të Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka theksuar se përfaqësuesit e secilit subjekt politik kanë shpërfaqur qëndrimet mbi temat, të cilat konsiderohen të mëdha.

“Unë shpërfaqa që ndër temat kryesore që duhet diskutuar është edhe modeli ekonomik që e kemi në këtë Republikë e posaçërisht temat, të cilat po na vijnë dhe që ndërlidhen me implikime financiare ekonomike dhe qëndrueshmërinë ekonomike të kësaj republike”, u shpreh Sejdiu.

Ai ka shtuar se në rast se do të ketë frymë të mirëbesimit, sinqeritet dhe seriozitet ndëmrjet partive politike, atëherë, siç ka thënë ai, mbase mund të ndërtohet një energji e duhur dhe e domosdoshme për të diskutuar edhe për zgjedhjet eventuale të parakohshme.

Blerim Kuçi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka theksuar se në takimin e së mërkurës, të partive politike, janë iniciuar diskutimet për temat, për të cilat në vazhdimësi është thënë se nevojitet konsensusi.

“Por, sot jemi marrë vesh vetëm për dy çështje: që të vazhdojmë, si dhe jemi marrë vesh që para jush të themi që çdo subjekt politik ka shfaqur mendimet e veta rreth këtyre temave. Të gjitha elementet tjera janë qëndrime partiake, por jo të kësaj tryeze këtu. Ju e dini që Qeveria po funksionon. I ka apo si ka numrat, ajo po funksionon”, tha Kuçi.

Bilall Sherifi, shef i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokratike, tha se në takimin e së mërkurës, secila parti ka shfaqur mendimin e saj për temat për të cilat kanë konsideruar se janë me interes. Megjithatë, siç tha ai, Nisma nuk mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Nisma mendon se janë dy mënyra për ta dërguar vendin në zgjedhje: me marrëveshje ndërmjet partive politike, si dhe është rruga e mocionit të mosbesimit. Ne nuk mendojmë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Konsiderojmë që Qeveria sapo ka filluar punën dhe duhet t’i lihet kohë dhe hapsirë që ta vazhdojë punën e saj”, theksoi Sherifi.

Ilir Deda nga Alternativa tha se takimi i partive politike është vetëm nismë për të parë se a mund të ketë konsensus ndërmjet tyre për temat e mëdha.

“Nëse nuk arrijmë konsensus ne, si politike, nuk do të jetë pozitiv për ne dialogu me Serbinë, as ushtria e as një çështje tjetër”, tha Deda.

Sidoqoftë, në këtë takim, partitë politike parlamentare dhe ato jashtë Kuvendit, janë pajtuar që takime të ngjashme sikurse kjo e ditës së mërkurë, të organizohen përsëri nga partitë tjera politike, me rotacion.

Siç është thënë nga përfaqësuesit e partive politike, takimi i ardhshëm, së shpejti, pritet të organizohet nga Partia Demokratike e Kosovës. /REL/