Haliti: Nuk duhet të marrim pjesë në takim

Aktuale April 25, 2018 - 09:54
Lexo detajet

Tryeza e thirrur nga partia më e madhe opozitare (LDK), ku do të diskutohet për zgjidhjen e temave të mëdha nacionale, si dhe për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, nuk pritet t’i mbledhë të gjitha partitë politike.

Zyrtarë nga PDK-ja kanë thënë për “Zërin” se nuk duhet shkuar në një tryezë të tillë, e cila pritet të mbahet të sot duke filluar prej orës 13:00.

I pyetur nëse PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e së mërkurës, shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Memli Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se tek gjatë ditës sot PDK-ja do të dalë me një qëndrim zyrtar rreth kësaj çështjeje.

“Nesër e bëjmë publik qëndrimin tonë”, i ka thënë shkurt gazetës Krasniqi gjatë së martës.  

Mirëpo, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka konsideruar se nuk ka asnjë arsye që PDK-ja të marrë pjesë në takimin e thirrur për sot nga LDK-ja.

“Unë mendoj që nuk ka nevojë të shkohet në takimet që i thërrasin partitë politike. Ne për takime të tilla e kemi Parlamentin e Kosovës dhe mund t’i diskutojmë çështjet në seancat plenare. Mund të bisedojmë, por mendoj që pozita nuk është e obliguar dhe nuk do të duhej të shkonte për të diskutuar në konferenca. Mendimi im është që nuk duhet marrë pjesë”, ka deklaruar Haliti për “Zërin”.

Ai më tej e ka cilësuar si absurde ftesën e LDK-së për të marrë pjesë në këtë takim.

“Ato nëpër vendet që s’janë prej institucioneve mendoj që u takojnë bisedimeve mes OJQ-ve dhe institucioneve të Kosovës, partive politike, por mendoj që një parti duke qenë partia më e madhe parlamentare të kërkojë takim jashtë Parlamentit duket absurde”, ka theksuar ai. /Zëri/