Skenës politike kosovare së shpejti i shtohet edhe një parti e re

Aktuale April 24, 2018 - 23:15
Lexo detajet

Së shpejti skenës politike të Kosovës do t’i shtohet edhe një subjekt i ri politik. Kjo pasi 12 deputetët e dorëhequr nga lëvizja Vetëvendosje, tanimë kanë nisur përgatitjet që të formojnë një parti të re.

Kështu ka bërë të ditur deputetja, Shqipe Pantina nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.

“Tashmë kemi filluar përgatitjet dhe së shpejti do të dalim me subjektin e ri politik. Ajo çka ne kemi rënë dakord është që subjekti ynë do të jetë me objektiv socialdemokrat”, ka thënë Pantina.

Sipas saj, ditëve të ardhshme do të vendoset edhe për emrin e partisë më të re në vend.

“Emrin përfundimtar besoj se do ta vendosim në ditët në vijim kur të konsultohemi edhe me strukturat tona që janë duke u formuar nëpër komuna”, ka shtuar Pantina.

Kujtojmë se ish-anëtarët e VV-së tani në Kuvend kanë ulëset e veçanta dhe janë regjistruar si Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Ky grup përbëhet nga kryetari Dardan Sejdiu dhe deputetët Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Besa Baftiu, Faton Topalli, Salih Salihu, Frashër Krasniqi dhe Shqipe Pantina./indeksonline/