Haradinaj: Kosova i përket familjes evropiane dhekjo nuk ka kthim prapa

Aktuale April 24, 2018 - 12:28
Lexoni më shumë detaje

Në Samitin e Brdos që po mbahet në kuadër të SEECP (Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore), kryeministri i  Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi përkushtimin dhe angazhimin e Kosovës në forumet dhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal, me qëllim të arritjeve të standardeve të duhura për Kosovën dhe rajonin drejt integrimit të plotë në strukturat evropiane, transmeton "Zeri.info". 

Haradinaj falënderoi Slloveninë dhe Kryeministrin e saj Miro Cerar për kryesimin e këtij viti të SEECP dhe për rolin lehtësues në forcimin e bashkëpunimit rajonal.

“Procesi i Bashkëpunimit i Evropës Juglindore i themeluar mbi parimet e vizionit  për të ardhmen dhe për barazinë, po jep rezultate konkrete në procesin e përafrimit dhe integrimit të vendeve të Evropës Juglindore, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e përbashkëta shoqërore, historike dhe gjeografike. Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për marrëdhënie të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe po vazhdon përpjekjet për të vendosur raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë. Kosova i përket familjes evropiane, familjes së vlerave perëndimore dhe në këtë rrugëtim nuk ka kthim prapa”, tha Haradinaj në fjalën e tij gjatë këtij samiti.

Kreu i ekzekutivit, foli edhe për qëndrimet dhe angazhimet e shtetit të Kosovës për forcimin e bashkëpunimit dhe besimit rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet e zgjeruara ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.

SEECP është një proces rajonal i institucionalizuar i koordinuar nga shteti që mbanë kryesinë në detyrë. Misioni i tij kryesor është të nxisë perspektivën e BE-së për Evropën Juglindore dhe të punojë drejt lidhjes, sigurisë, stabilitetit dhe përparimit ekonomik të rajonit.

“Kosova po e dëshmon përkushtimin e saj në ndërtimin e raporteve korrekte me fqinjët dhe vendet e Evropës Juglindore, duke qenë pjesë dhe kontribuar në nismat dhe angazhimet e përbashkëta, në të mirë të paqes dhe të ardhmes”, tha kryeministri Haradinaj, përcjell "Zeri.info".

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) filloi në vitin 1996 në Sofje me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal. Pjesëmarrës në SEECP janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia dhe Sllovenia.

Kujtojmë se Kosova pritet të jetë kryesuese e SEECP në vitin 2019 -2020. /ZËRI/

Image

Image

Image

Image