Gjuriq kërcënon serbët e Kosovës

Aktuale April 24, 2018 - 11:52
Ky është kërcënimi i tij për serbët e Kosovës

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, sikurse edhe Lista Serbe në Zubin Potok para tre muajve,  ka ftuar serbët e Kosovës që të mos bëhen pjesë, siç thotë ai të  Ushtrisë ilegale të Kosovës, duke ua përkujtuar se me Ligjin Penal të Serbisë, "pjesëmarrja në formacione ushtarake ilegale dhe të huaja është e kundërligjshme dhe e dënueshme deri në 10 vjet burg", raporton "Zeri.info"

Sikurse para tre muajve kur krerët e Listës Serbe në Zubin Potok patën kërkuar nga serbët që të mos hyjnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe u kishte rekomanduar të gjithë atyre që janë pjesë e saj që të largohen, tani të njëjtën gjë e ka bërë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovës, Marko Gjuriq, ka kërkuar nga serbët e Kosovës që në asnjë mënyrë mos të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës.

Madje Gjuriq është kërcënuar se ata që bëhen pjesë e siç thotë ai Ushtrisë ilegale të Kosovës do të dënohet me 10 vjet burg. Gjuriq u ka thënë medieve në Beograd, ndërsa përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, se me Ligjin Penal të Serbisë, pjesëmarrja në formacione ushtarake ilegale dhe të huaj është e kundërligjshme dhe se dënimit shkojnë deri në 10 vjet burg. Ai ka shtuar se formimi i Ushtrisë së Kosovës në kundërshtim me Rezolutën 1244, me Marrëveshjen e Kumanovës dhe kundër shtetit të Serbisë, që ka për qellim stabilitetin.

Gjuriq ka përkujtuar se Lista Serbe që e kundërshton formimin e Ushtrisë  në Kosovës ka mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përcjell më tutje "Zëri".

"Është mire që Ushtria e Serbisë ka marrë rrugën e modernizimit dhe fuqizim,it, sepse për Serbinë paqja është shumë e rëndësishme. Faktor të rëndësishëm në ruajtjen e paqes ka Ushtria e Serbisë, është garanci e fuqishme e paqes", ka thënë Gjuriq, duke vlerësuar se EULEX-i ka dështuar në Kosovës, sepse nuk ka krijuar kushte për sundimin e ligjit.

"Ky dhe një EULEX i tillë kanë sjellë ata që tani thonë se Kosovën duhet lëshuar në OKB pa asnjë kusht", ka thënë Gjuriq.

Sikurse tani Gjuriq, një kërcënim pjesëtarëve të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe apel që të mos bëhen pjesë e saj, para gati tre muaj ua ka bërë edhe krerët e Listës Serbe në Zubin Potok.

Për ata që mbetën pjesë e FSK-së, e pastaj edhe e FAK-ut, Lista Serbe në Zubin Potok është kërcënuar se do t'i "leçisë" dhe do të bojkotohen kudo që ata paraqitën.

"Sipas zakonit të vjetër të Kolashinit, kumtojmë: "të mos thirren kurrë as në gëzime e as në ngushëllime, as në kishë e as në kafene, të shpallën të padëshirueshëm në të gjitha objektet publike, të injorohen në çdo hap, jetën e tyre lë ta vazhdojnë atje ku e kanë filluar me mendje fatkeqe, të turbullt dhe të perënduar. Në këtë mënyrë lojalitetin dhe përkushtimin ndaj shtetit tonë të vetëm, Serbisë dhe ndaj popullit tonë, do ta tregojnë të gjithë qytetarët e Zubin Potokut, si dhe bojkotin ndaj atyre kolashinasve të cilët do të përpiqen që të ardhmen ta kërkojnë në institucionin Ushtria e Kosovës", ka thënë ai, transmeton "Zeri.info".

Me këto fjalë, Këshilli Komunal i Listës "Srpska" në Zubin Potok u ishte drejtuar qytetarëve të Zubin Potokut.

"Srpska" në Zubin Potok, është deklaruar, siç thuhej, "për shkak të paralajmërimeve për aplikim të disa qytetarëve të Zubin Potokut për angazhim në Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilën ata e quajnë "ish-UÇK".

"Organizata terroriste - UÇK,  nga e cila ka dalë FSK-ja është vetëm kontinuitet i një veprimi terrorist dhe anti-serb. Angazhimi i njerëzve të rinj të komunitetit serb është vetëm dhënie e legjitimitetit një organizate që dëshiron të shndërrohet në Ushtri të Kosovës. Lista Serbe, pa të cilën në Kuvendin e Kosovës nuk mund të votohet formimi i kësaj kuaziushtrie ashpër e gjykon dhe me të gjitha mjetet demokratike e lufton formimin e saj. Të gjithë ata serbë që provojnë të hyjnë në FSK do të përballen me bojkot të ashpër të bashkësisë serbe. Duke ditur se çfarë u ka bërë serbëve UÇK-ja dhe cili është qëllimi i FSK dhe Ushtrisë së ardhshme të Kosovës, ua tërheqim vërejtjen qytetarëve dhe bashkombësve tanë se edhe në të ardhmen, me këtë akt të turpshëm të kyqjes në FSK, ata përcaktohen vetë ndaj popullit të vet dhe ndaj viktimave të së kaluarës, por edhe ndaj fëmijëve të vet, të cilët do të detyrohen, sikurse jeniçerët, që pushkët t'i kthejnë ndaj popullit të vet. Zubin Potoku, komuna me zhvillimin më të madh ekonomik, me strukturën më të rregulluar, me një zhvillim të hovshëm në bujqësi, turizëm dhe me potenciale ekologjike, thërret qytetarët e vet që fuqinë e tyre ta drejtojnë nga zhvillimi i rajonit tonë dhe të heqin dorë nga aleancat me ata që nuk na e duan të mirën. Qytetarët e Kolashinit duhet të tregojnë lojalitetin dhe përkushtimin vetëm ndaj shtetit të Serbisë dhe këta njerëz nëse nuk i thërrasin mendjes, do të injorohen në çdo hap, në bazë të zakoneve të vjetra të Kolashinit, nuk do të ftohen as në gëzime e as për ngushëllime, as në kish e as në kafene, do të shpallën të padëshirueshëm në të gjitha objektet publike dhe gjithkund", thuhet në një kumtesë për banorët e komunës së Zubin Potokut, të lëshuar nga Këshillit Komunal i Listës "Srpska" në Zubin Potok, të cilën e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës. 

Ndryshe, sipas informacioneve, Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht ka 103 pjesëtarë të nacionalitetit serb. /ZËRI/