Lista Serbe, 'kah të frynë era'

Aktuale April 24, 2018 - 08:26
Tash e një muaj Lista Serbe vazhdon ta mbajë qëndrimin 'edhe në pushtet, edhe në opozitë'

Lista Serbe vazhdon status quo-n pasi deputetët e kësaj partie ende vazhdojnë të ulen në krah të opozitës në Kuvend, ndërsa ministrat e kësaj partie vazhdojnë të mos marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë, megjithëse janë duke e kryer punën e tyre nëpër dikasteret qeveritare, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Tash e një muaj Lista Serbe vazhdon ta mbajë qëndrimin “edhe në pushtet, edhe në opozitë”.

Ky qëndrim i tyre do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë pa u penguar nga partitë që qeverisin vendin.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se Lista Serbe është aq e mençur sa të mos kalojë në opozitë pasi në këtë formë po arrin të “manovrojë” me Qeverinë dhe po realizon qëllimet e veta, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërkohë, zyrtarët qeveritarë thonë se presin kthimin e plotë të Listës Serbe në Qeveri. Në anën tjetër, partitë opozitare vlerësojnë se me lirinë që po ua jep Qeveria Lista Serbe po faktorizohet çdo ditë e më shumë.

Qeveria: Presim kthimin e Listës Serbe

LEXO EDHE: Nisin hetimet ndaj policëve që arrestuan Gjuriqin

Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj, ka deklaruar për gazetën Zërise pret që në një afat optimal Lista Serbe të kthehet në pozicionin paraprak.

“Takimet janë të përditshme dhe janë takime pune, por diçka përfundimtare ende nuk kemi. Jemi optimistë që do të kthehen në afat optimal”, ka deklaruar Matoshi.

Ndërkohë, ai nuk ka pranuar të japë detaje nëse Lista Serbe i ka vënë kushte Qeverisë për kthimin e tyre. I pyetur se a ka gjasa që Lista Serbe të kthehet me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Matoshi pa dashur të komentojë mbi këtë temë tha se janë dy çështje të ndara.

Ndërkaq partia më e madhe në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, e sheh si problematike mospozicionimin e Listës Serbe.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie Xhavit Haliti në një prononcim për gazetën “Zëri” ka deklaruar se Lista Serbe është problem për koalicionin qeverisës pasi po qëndron e papozicionuar dhe në këtë mënyrë, sipas tij, rrezikohet edhe koalicioni qeverisës.

“A janë serbët në pozitë apo në opozitë, këtu është çështja kyçe. Në qoftë se kanë kaluar në opozitë dhe duan ta rrëzojnë Qeverinë, atëherë është e mundshme, tha ai.

Ndërkohë, deputeti opozitar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Xhelal Sveqla thotë se sjelljet e Listës Serbe nuk janë aspak të çuditshme, duke marrë parasysh lirinë që kanë nga koalicioni qeverisës.

Sipas tij, Lista Serbe po vepron në atë mënyrë që po dirigjon edhe Qeverinë për nevoja të vetat.

“Roli i tyre është i ditur, ata nuk janë të angazhuar për të mirën e vendit, ata janë të angazhuar që përmes sjelljeve të tyre të faktorizohen vetë. Ata duke qenë në këtë pozicion marrin hapa pragmatikë herë duke qenë në pozitë e herë në opozitë, varësisht prej nevojave të tyre”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Mushkolaj: Lista Serbe po manovron me Qeverinë

Njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj konsideron se Lista Serbe do të vazhdojë ta mbajë këtë pozicion që ka tani edhe për një kohë të gjatë. Sipas tij, Lista Serbe po e shfrytëzon si është më së miri këtë situatë të krijuar.

“Do të vazhdojë ky qëndrim i Listës Serbe dhe nuk do të kalojnë në opozitë, sepse nuk është në interesin e tyre që të kalojnë në opozitë. Këtë e dinë mirë edhe Lista Serbe, edhe Beogradi, që e dirigjon këtë subjekt politik. Natyrisht që në Listën Serbe janë aq të mençur sa të mos kalojnë në opozitë për shkak se në atë pozicion nuk mund t’i realizojnë disa nga qëllimet e tyre, siç është Asociacioni, menaxhimi i fondeve që u takon, ministritë e caktuara e kështu me radhë”, ka deklaruar Mushkolaj.

Sipas tij, Qeveria në këtë rast nuk ka zgjidhje tjetër pos t’i durojë manovrimet e Listës Serbe, pasi siç theksoi, ai kjo e fundit po e mban në duar Qeverinë.

“Është çështje tjetër pastaj se çfarë qasje do të kenë institucionet, pra Qeveria dhe koalicioni karshi tyre, por nuk besoj që mund të ketë lëvizje që mund ta ndërrojë pozicionin e tyre. Nuk pres që të kthehen ata, do të vazhdojnë në këtë formë sepse po u lejohet në këtë formë pasi edhe e kanë gjithë lirinë që të manovrojnë si të duan pa pasur problem nëse dikush do të reagojë apo do të marrë masa, e kanë koalicionin në dorë dhe mund të funksionojnë kështu në afat të pakufizuar”, ka përfunduar ai.

Në fund ta muajit mars Lista Serbe pati bërë të ditur se do të dalë nga Qeveria si reagim ndaj arrestimit dhe dëbimit të shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nga autoritetet kosovare, pasi kishte hyrë në territorin e Kosovës pa lejen e institucioneve të vendit.