Rekomandimi për vizat pritet në qershor

Aktuale April 24, 2018 - 07:54
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Përfaqësues të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, por edhe ekspertë të kësaj fushe presin që në qershor të këtij viti të jepet rekomandimi nga ana e KE-së për heqjen e vizave për Kosovën. Por, zyrtarë të Komisionit Evropian i kanë deklaruar “Zërit” se për heqjen e vizave duhet luftuar krimi i organizuar dhe korrupsioni

Premtimet se Kosovës do t’i hiqen vizat nga Bashkimi Evropian (BE) nisën gati para një dekade, duke filluar nga viti 2010.

Por, tek pas tetë vjetësh pritet që nga BE-ja të merret një rekomandim për liberalizimin, i cili sipas drejtuesve të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane pritet të jetë pozitiv, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas tyre, një gjë e tillë do të ndodhë në muajin qershor, pasi në muajin që vjen (maj) pritet që në Kosovë të qëndrojë një delegacion i BE-së, i cili nga institucionet e vendit do të marrë të dhëna mbi atë se sa është punuar drejt përmbushjes së kushteve për heqjen e vizave.

Më pastaj ky delegacion do t’i dërgojë të dhënat tek institucionet e BE-së, për të dalë më tej me një rekomandim (vendim) për heqje ose jo të vizave.

Në anën tjetër, nga Komisioni Evropian i kanë thënë gazetës Zëri se deri në ditën e miratimit të propozimit nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, pos Demarkacionit duhet të përmbushet edhe kriteri i 95-të, përkatësisht luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit.

Përderisa nga Qeveria e Kosovës shprehen të vendosur se përgjatë këtij viti do të finalizohet procesi i liberalizimit, nga Lëvizja Vetëvendosje konsiderojnë se një gjë e tillë është gati e pamundur.

KE: Kosova duhet ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin

Zyrtarë nga Komisioni Evropian kanë theksuar edhe një herë se për të ardhur deri te heqja e vizave duhet të përmbushet edhe kriteri i luftimit të krimit të organizuar dhe i korrupsionit.

Në një përgjigje të Zyrës për Informim të KE-së dhënë “Zërit” thuhet se nga propozimi i KE-së i dalë para dy vjetësh si kritere për heqje vizash përmendet Demarkacioni dhe lufta ndaj krimit e korrupsionit.

“Në vitin 2016, Komisioni paraqiti propozimin e tij për liberalizimin e vizave për Kosovën. Duhet të kuptohet që deri në ditën e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti dhe Këshilli Kosova duhet të ketë ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi dhe të përforcojë të dhënat e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, siç theksohet në deklaratën e përbashkët, vlerësimi vazhdon ende sipas të dhënave të fundit nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komisionit Evropian.

E pasi të plotësohen kushtet sipas KE-së, propozimi i Komisionit duhet të miratohet formalisht nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli.  

Matoshi: Liberalizimi, brenda këtij viti

Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, është shprehur i vendosur se procesi i liberalizimit të vizave do të finalizohet brenda vitit 2018.

“Praktikisht Raporti i BE-së për Kosovën është raporti më pozitiv që ka pasur Kosova ndonjëherë dhe ky Komision Verifikues do t’i evidentojë të arriturat e Kosovës dhe Kosova merr liberalizimin gjatë vitit 2018. Unë jam i sigurt që Krishtlindjet do t’i festojmë në Paris, në Romë, në Berlin, etj”, ka deklaruar Matoshi në një bisedë për “Zërin”.

E sa i përket kriterit të fundit të mbetur për viza, Matoshi ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke punuar vazhdimisht drejt përmbushjes së tij.

Deliu-Kodra: Presim rekomandim pozitiv për liberalizim

Në anën tjetër Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane nga PDK, ka bërë të ditur se delegacioni i BE-së, i cili do të vijë në Kosovë gjatë majit, do të pajiset me të dhënat e institucioneve, lidhur me atë se sa janë përmbushur kushtet e mbetura për heqje vizash.

Më pas, sipas saj, këto të dhëna dërgohen në institucionet e Bashkimit Evropian të cilat dalin me rekomandime konkrete.

“Delegacioni do t’i marrë kryesisht informatat e institucioneve në përmbushjen e kritereve, se sa është bërë përmbushja e kritereve. Duke u bazuar në të dhënat e ministrive që i kemi parë në Komision besoj shumë që të dhënat do të jenë pozitive, do të thotë BE-ja do t’i marrë këto të dhënat e institucioneve dhe pastaj këto të dhëna do të dërgohen në mekanizmat në Bruksel”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, tashmë thuajse të gjitha kriteret janë plotësuar dhe një gjë e tillë është duke ndodhur edhe me kriterin e fundit të mbetur. E rekomandimi për heqje të vizave, siç Deliu-Kodra është shprehur, mund të vijë përgjatë muajit maj ose qershor.

“Presim që fundi i majit ose qershori të jetë muaji i rekomandimit pozitiv për liberalizim”, ka theksuar ajo për “Zërin”.

Kollçaku: Gjasat që vizat të hiqen më 2018-n janë minimale

Pavarësisht saj, Fatmire Kollçaku, anëtare e Komisionit për Integrime nga LVV, ka konsideruar se gjasat janë minimale që këtë vit të ketë liberalizim të vizave, kjo pasi lufta kundër krimit të organizuar e i korrupsionit nuk është përmbushur si kriter.

“Deri më tani nuk kemi ndërmarrje të masave ndaj pjesëmarrësve kryesorë që janë të zhytur thellë në krim dhe në korrupsion. Ky mbetet ende një kriter i papërmbushur dhe ne mendojmë që pushtetarët që fillojnë duhet të fillojnë nga vetvetja, t’i kthehen vetvetes dhe ta denoncojnë krimin dhe korrupsionin. E dini që ka afera tashmë dhe aktakuza të ngritura ndaj disa ministrave. Kjo tregon që pothuajse nuk ka gjasa që kjo të ndodhë këtë vit”, ka deklaruar ajo.

Sipas Kollçakut, edhe Raporti i Progresit e ka dëshmuar se nuk ka pasur ecje sa i përket procesit të liberalizmit.

Lushaku: Vendimi për vizat duhet të merret para pushimeve verore

Në anën tjetër, për dallim prej Demarkacionit që pritet të vlerësohet si kusht i përmbushur nga delegacioni i BE-së, Jehona Lushaku, eksperte e procesit të integrimit, ka thënë se ka mëdyshje se si do të veprohet me kushtin tjetër, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Pres të vlerësohet se kriteri i Demarkacionit është i plotësuar, por te kriteri i dytë merren ato rastet e shenjëzuara që janë për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit e shikohet se në çfarë faza janë ato raste. Këtu ka dilema si do të vlerësohet ky kriter. Mandej hartohet një raport teknik, se a janë plotësuar këto kushte apo jo dhe Komisioni Evropian e dërgon në Parlament e në Këshill të Ministrave. Pra, e dërgon rekomandimin se çfarë vendimi duhet të merret”, ka nënvizuar ajo.

Por sipas saj, është e rëndësishme që vendimi të merret para pushimeve verore, diku në fillim ose në fund të muajit qershor, në mënyrë që të zihet hapi për heqjen e vizave.

“Është e rëndësishme që vendimi të merret para se të shkohet në pushime të verës, sepse nëse mbetet më vonë mandej është problem derisa të hyjë në fuqi sepse mbetet tek pas Vitit të Ri. Në fillim ose në fund të muajit qershor, por patjetër para se të shkohet në pushime të verës”, ka theksuar ajo, duke bërë të ditur se pas marrjes së rekomandimit nevojiten 5-6 muaj për implementimin e tij.