Telekomi në prag të falimentimit - reagon ashpër Dardan Molliqaj

Aktuale April 23, 2018 - 22:48

Deputeti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP), Dardan Molliqaj ka thënë se pothuajse të gjitha ndërmarrjet shtetërore janë shkatërruar dhe kanë humbur vlerën pasi janë privatizuar.

“Pothuajse të gjitha ndërmarrjet publike e shoqërore në Kosovë, fillimisht i kanë shkatërruar qëllimisht për t’ua humbur vlerën e pastaj i kanë shitur (lexo: falur). E njëjta po ndodhë tash edhe me PTK-në të cilën nga një ndërmarrje me profit, e shndërruan në një ndërmarrje që nuk i mbulon as shpenzimet e veta”, ka thënë ai.

“Këto politika të mbrapshta ekonomike që humbën dhjetëra mijëra vende pune duke privatizuar gjithçka shpejtë e lirë, duhet të ndërrohen sa më parë. Ndërmarrjet publike mund dhe duhet të menaxhohen mirë dhe të mbesin pronë e përbashkët e qytetarëve”, ka thënë Molliqaj.

Sot u raportua se Telekomi i Kosovës është në krizë të thellë financiare dhe rrezikon të falimentojë pas 12 muajve. Për krizën financiare të Telekomit, kryesuesja e Bordit të kësaj kompanie publike Besa Shatri-Berisha, ka njoftuar Kabinetin qeveritar.

Ajo tha se humbjet për tre muajt e parë të këtij viti janë 4 milionë euro, si rezultat i rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve.

Derisa Telekomi tash për tash i ka mbi 60 milionë euro borxh.

Kryesuesja e Bordit të Telekomit, ka thënë se janë disa arsye që rrezikojnë falimentimin. Ndër to edhe shlyerja e borxhit prej 26 milionë eurove ndaj kompanisë Z-Mobile.

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura për krizën e Telekomit, Haradinaj ka përjashtuar çdo mundësi që Qeveria t’i paguajë borxhet.