Presidenti Thaçi e realizon një takim komik në Hagë

Aktuale April 23, 2018 - 22:12

Hashim Thaçi njihet për takime qesharake, të cilat i zhvillon herë pas here.

Presidenti i Kosovës – i cili në të kaluarën, në kuadër të samiteve e forumeve të ndryshme, për shkak të shpërfilljes nga figura të rëndësishme, është detyruar të realizojë takime edhe me këshilltarë të tij e ish-kolegë nga partia që dikur e udhëhiqte – edhe këtë javë e ka realizuar një takim komik.

Numri një i Kosovës, Hashim Thaçi, dje ka shkuar në Hagë. Në vendin ku funksionon Gjykata Speciale për krimet e supozuara të luftës në Kosovë, Thaçi ka qëndruar edhe sot – ku ka mbajtur një ligjëratë, e ku e ka promovuar një libër biografik për të.

Gjatë promovimit të librit, që e paraqet atë si burrështetas modern, presidenti kosovar ka pasur rastin ta takojë edhe një personalitet të rëndësishëm. Ka realizuar një takim me një homolog të tijin.

Thaçi është takuar me atë që mban pozitën e presidentit të Republikës së Çamërisë. Me Festim Laton, Thaçi ka realizuar edhe një fotografi – rreth një tavoline ku shiheshin kopje të librit që i pari i Kosovës ka shkuar për ta promovuar në Holandë.

Përveç për dy Republikat e për librin biografik, Thaçi e Lato me gjasë do të kenë diskutuar edhe për përvojat ushtarake. Sikur "Gjarpri" i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe Lato, sipas një fotografie, është ushtarak i zoti. /Express/

Image