Krasniqi: Prioritetet për qytetarët nuk caktohen njëanshmërisht

Aktuale April 23, 2018 - 21:59
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi ka shprehur bindjen se pa asnjë dyshim shoqëria shqiptare në përgjithësi e kjo e Kosovës në veçanti, kanë nevoja të ngutshme që të zhvillojnë një debat serioz e të njerëzishëm sesi e nga duhet të ecim tutje.

“Ky debat parësisht i duhet politikës, atyre që po vrapojnë e premtojnë për të qeverisur me vendet tona, për të marrë vendime të mëdha për kombin. Por, para se të merren vendimet e mëdha, duhet të caktohen prioritetet pa të cilat nuk mund të shkohet në vendime të mëdha të nivelit nacional”, thotë Krasniqi.

Ai shton se për t’i caktuar prioritetet që u duhen qytetarëve të Kosovës, duhet të merren disa hapa:

Hapi i parë, domosdo duhet të jetë, hapja e një debati brenda përbrenda partive politike, që në ato debate, partitë politiket t’i caktonin vullnetet e tyre politike se për ç’farë prioritete do të kishin gatishmëri për t’u marrë vesh.

Hapi i dytë, pajtueshmëri e plotë për të nisur një debat politikë mes partive politike parlamentare, nga i cili debat do të nxirreshin prioritetet politike të interesit nacional.

Hapi i tretë, listimi i prioriteteve që vërtetë janë, prioritete të ngutshme të interesit nacional. Këtu po flas për prioritetet nacionale që janë e varen kryekreje nga vullneti ynë politik.

Krasniqi thotë se prioritetet e caktuara së fundi, nuk varen nga vullneti ynë politik.

Ai thekson se prioritetet që varen nga ne janë:

1. Sundimi i rendit dhe i ligjit;

2. Sistem të Drejtësisë të pa politizuar;

3. Sistem financiar të organizuar e të shfrytëzuar mirë;

4. Zhvillim ekonomik, favorizim i investitorëve potencial dhe punësim;

5. Arsim cilësor e të reformuar;

6. Shëndetësi publike të organizuar mirë.

“Këto prioritete, sjellin prioritetet tjera me liberalizimin e vizave që kaq shumë po e kërkojnë qytetarët tanë. Këtë vend nuk duhet e as nuk mund ta dojë kush më shumë se ne! Ndonëse, gjatë këtyre viteve nuk kemi treguar kurrfarë dashurie, veç pangopësisë”, ka thënë Krasniqi.