Ekipi i Unitetit ndan Thaçin dhe Veselin

Aktuale April 23, 2018 - 21:10

Bisedimet me Serbinë, përveç Qeverinë dhe Opozitën, duket se i kanë ndarë edhe partnerët e koalicionit aktual qeverisë dhe liderët institucionalë, raporton T7.

Ndërkohë që Hashim Thaçi tash e sa kohë po përpiqet ta marrë kryesimin e kësaj teme përmes një platforme të Qeverisë dhe e cila këtë javë u dërgua në Kuvend, kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka dalë sot me ide jo aq të ngjashme me atë të Thaçit dhe Haradinajt.

Me anë të këtij dokumenti, kreu i PDK-së, kërkon që të arrihet një konsensus politik, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për problemet me të cilat po ballafaqohet vendi.
Si tema që kërkojnë konsensus, Veseli ka përmendur Dialogun me Serbinë, Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, Agjenda e Integrimeve Evropiane dhe Reforma Zgjedhore.

E për të arritur këtë, kreu i koalicionit qeverisës, konsideron se duhet të krijohet një ekip i përbashkët, ku do të marrin pjesë gjithë krerët e partive politike në Kosovë.

Kjo, sado që mund të tingëllojë bukur, tubimi në një ekip i gjithë partive, do ta vështirësonte përpjekjen e Thaçit për të qenë kreu i këtij ekipi. M

Siç dihet, Opozita nuk e njeh për Simbol të Unitetit z. Thaçi, pavarësisht se kjo i përshkruhet në detyrën e tij zyrtare.

“Në funksion të këtij qëllimi është i domosdoshëm krijimi i një ekipi të përbashkët, i udhëhequr nga Presidenti i Kosovës, e në të cilin do të përfshihej roli i të gjithë liderëve politikë dhe institucional të vendit, si dhe personalitetet e shoqërisë civile, një praktikë kjo shumë rezultative gjatë proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga Rambujeja deri në shpalljen e pavarësisë” thuhet në platformë.

Një iniciativë të tillë e kishte marrë kohë më parë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, u ka bërë edhe një herë ftesë partive politike që të mblidhen, të mërkurën, në një tryezë të përbashkët e të diskutojnë për gjendjen nëpër të cilën po kalon vendi. 

Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, përmes telefonit, thotë se i vetmi ndryshim është se LDK ka kërkuar një datë për zgjedhjet e parakohshme, ndërsa PDK ka për qëllim të ruaj pozitën.

“Konsideroj që ato janë më shumë retorika dhe fraza boshe. Asgjë e re nuk është thënë. Nëse dikush mendon të fshehet pas temave të mëdha sa për të qëndruar në pushtet kjo për ne nuk është e pranueshme”, ka deklaruar ai.

Platformën e propozuar nga PDK, e ka mbështetur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke thënë se vendi ka nevojë për një unitet që të kalohet gjendja e krijuar.

Edhe Jakup Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate është pajtuar me një iniciativë të tillë, ka theksuar se vetëm me dialog mes partive mund të gjendet një zgjidhje.

Nga ana tjetër, sipas burimeve të Televizionit T7, tash e sa kohë po negociohet me parti politike dhe figura të njohura të shoqërisë civile për t’i bindur që të bëhen pjesë e ekipit negociues me Serbinë. Mirëpo, deri më tash, shumica e tyre kanë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë se nuk e duan Thaçin për udhëheqës.