Vetëvendosje i përgjigjet platformës së Kadri Veselit për unitet politik

Aktuale April 23, 2018 - 20:51

Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar t’i bashkohet platformës së prezantuar sot nga Kadri Veseli për bashkimin e spektrit politik në Kosovë rreth 5 temave me interes kombëtar.

Anëtari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se partia e tij nuk i bindet kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Selimi ka thënë se platformës së Veselit mund t’iu bashkohen vetëm Ramush Haradinaj e Behgjet Pacolli.

“Kadri Veseli mundet me i thirrë Ramushin e Pacollin që i ka në koalicion. Ata i binden atij, jo ne”, ka thënë Selimi, në një bisedë me Insajderin.

Ndërkaq, Selimi ka thënë se VV do të marr pjesë në takimin me liderë të partive politike të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo për shkak se sipas tij pjesmarrja në atë tryezë është bashkpunim ndëropozitar.

“Po do të marrim pjesë, sepse ajo i takon bashkëpunimit ndëropozitar”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht udhëheqës i PDK-së, Kadri Veseli ka dalë sot me një platformë konkrete për bashkimin e spektrit politik në Kosovë rreth 5 temave me interes kombëtar.

Platformën e tij, përmes së cilës bën thirrje për krijimin e një ekipi të përbashkët udhëheqësish politikë, kryeparlamentari i Kosovës ua ka dërguar të gjithë krerëve të partive në vend.

Pesë janë temat e parashtruara aty: dialogu me Serbinë, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, themelimi i Ushtrisë së Kosovës, axhenda e integrimit europian dhe reforma zgjedhore. /Insajderi.com