12 njësi akademike rrezikohen të mbyllen në UP

Aktuale April 23, 2018 - 08:39
Lexoni se për cilat njësi akademike bëhet fjalë

Gjatë javës së kaluar zyrtarë në Fakultetin e Mjekësisë alarmuan se në mungesë të stafit akademik në këtë fakultet ka rrezik të mos akreditohet në vitet në vazhdim. Kurse Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka konfirmuar se në gjendje më të keqe se ky fakultet janë disa njësi të tjera akademike, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ditë më parë profesorë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” alarmuan se mungesa e kuadrove në këtë fakultet mund të shpjerë në mosakreditimin e tij në vitet në vazhdim.

Por në lidhje me këtë Rektorati i UP-së ka konfirmuar për Zërin se janë edhe njësi të tjera akademike shumë më të rrezikuara se  Fakulteti i Mjekësisë.

Ndërsa në Qeveri thonë se këtë alarm e kanë marrë me shqetësim dhe se në ditët në vazhdim kryeministri do të mbajë mbledhje me institucionet përkatëse për ta arritur një zgjidhje për këtë problem.  

LEXO EDHE: Partitë nuk presin marrëveshje për zgjedhje

Rektorati: Disa njësi akademike janë në gjendje më të keqe sesa Fakulteti i Mjekësisë

Zyrtarë nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për Zërin kanë deklaruar se janë të njoftuar për gjendjen në Fakultetin e Mjekësisë.

Sipas tyre, në gjendje më të rëndë se në këtë fakultet janë disa njësi të tjera akademike.

“Përbrenda Universitetit të Prishtinës vetëm Fakulteti i Arteve e ka këtë shpërndarje më të favorshme sesa Fakulteti i Mjekësisë. Pra, janë njësi akademike në UP që kanë mungesë më të theksuar të stafit sesa Fakulteti i Mjekësisë”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

Në lidhje me mungesën e profesorëve zyrtarë nga Rektorati kanë deklaruar se ka mungesë të financave dhe për këtë shkak ka edhe mungesë të stafit akademik dhe administrativ në UP.

“Limitimet buxhetore e kanë sjellë Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ në situatë mungese të stafit të rregullt akademik dhe atij administrativ. Prandaj, jo mbyllja e fakulteteve, por kualiteti i rezultateve të punës së tyre janë shqetësimi ynë kryesor. Mendojmë se është i domosdoshëm rishikimi i buxhetit të UPHP-së për ta mundësuar lehtësimin e mungesës me staf akademik dhe administrativ. Gjendja ekzistuese pamundëson funksionimin e UPHP-së në nivel rezultatesh të universiteteve elitare botërore”, thuhet më tutje në përgjigjen e rektoratit të UP-së.

Qeveria: Jemi të alarmuar nga situata, po kërkojmë zgjidhje

Në lidhje me situatën e krijuar në Fakultetin e Mjekësisë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Zyra e Kryeministrit për “Zërin” ka thënë se alarmin për këtë çështje e kanë marrë me shqetësim.

“Qeveria e ka marrë me shqetësim alarmin që ka ardhur nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit ‘Hasan Prishtina’ për rrezikun e mbylljes së tij në akreditimin e ardhshëm si pasojë e numrit të vogël të profesorëve në të. Shifrat që na janë prezantuar kanë bërë që t’i mobilizojmë tre ministrat e resorëve, atë të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Financave, si dhe udhëheqësit në Rektoratin e Universitetit ‘Hasan Prishtina’ dhe Fakultetin e Mjekësisë për të kërkuar një zgjidhje për problemin”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Në lidhje me hapat që kjo e fundit do t’i ndërmarrë për zgjidhjen e këtij problemi, zyrtarë nga Qeveria për “Zërin” kanë deklaruar se janë duke i menduar dy zgjidhje.

“Për momentin po diskutojmë dy zgjidhje të mundshme: e para është e zgjidhje e regjionit, mënyra si funksionojnë fakultetet e mjekësisë në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe në Slloveni dhe në shumicën e vendeve të Evropës, respektivisht pagesën me rrogë primare në shëndetësi dhe kompensimin sipas pozicionit ose sipas orëve për angazhimin në arsim, ndërsa e dyta është propozimi i Fakultetit të Mjekësisë për unifikimin e pagave dhe avancimin e asistentëve. Të dyja kanë anët e tyre pozitive dhe negative”, thuhet më tutje në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Në javën e ardhshme pritet që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ta organizojë një mbledhje ku pritet të diskutohet kjo temë dhe të arrihet një zgjidhje për të.

“Në javën e ardhshme vetë kryeministri do ta organizojë një takim të ngjashëm me ministrat e Arsimit, Shëndetësisë dhe të Financave, me rektorin e UP-së dhe me dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, ku këto propozime dhe propozimet e tjera të mundshme do të diskutohen më tutje”, përfundon përgjigja.

MSH: Mbyllja e Fakultetit nuk do të bëhet në asnjë rrethanë

Zyrtari për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, për “Zërin” ka thënë se njëri ndër vendimet e ministrit Uran Ismajli për këtë çështje është pengimi i largimit të kuadrove për një vend pune jashtë vendit.

“Është edhe qëndrim i ministrit të Shëndetësisë se largimi i kuadrove mjekësore drejt vendeve të tjera për një vend pune si pasojë e barrierave të ndryshme nuk duhet të ndodhë më”, ka thënë Hoti.

Po ashtu edhe Hoti ka konfirmuar se gjatë javës së ardhshme pritet të ketë një mbledhje ku do të flitet për temën në fjalë dhe do të arrihet një zgjidhje.

“Në ditët në vijim opsione dhe zgjidhje të ndryshme do të diskutohen midis Qeverisë, MASHT-it, MSH-së dhe akterëve të tjerë, sepse mbyllja e Fakultetit nuk do të ndodhë në asnjë rrethanë”, ka përfunduar ai.

Gjinovci: Në fakultete duhet të shtohen kuadro të reja

Drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, Rron Gjinovci, për “Zërin” ka thënë se zgjidhja e këtij problemi do të duhej të bëhej me një plan të mirëfilltë për shtimin e kuadrove dhe për kthimin e tyre.

“Zgjidhja është një plan i mirëfilltë i shtimit të kuadrove dhe kthimit të kuadrit të Kosovës, i cili gjendet jashtë vendit. Këtë gjë duhet ta bëjë Rektorati i Universitetit të Prishtinës bashkë me stafin e menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë”, ka thënë ai.

Më tutje Gjinovci ka thënë që për shtim të kuadrove të reja, përveç Fakultetit të Mjekësisë, kanë nevojë edhe fakultetet e tjera që i përkasin Universitetit të Prishtinës.