Partitë nuk presin marrëveshje për zgjedhje

Aktuale April 23, 2018 - 08:29
Lexoni më shumë detaje

Të mërkurën Lidhja Demokratike e Kosovës pritet t’i ulë në një tryezë përfaqësuesit e subjekteve parlamentare në vend për të biseduar rreth shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Megjithatë, partitë politike thonë se nuk presin marrëveshje për zgjedhje, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Partitë politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që pritet të mbahet të mërkurën për të diskutuar rreth shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Megjithatë, përfaqësuesit e subjekteve politike thonë se nuk presin marrëveshje për zgjedhje.

Partitë në pushtet kanë deklaruar për Zërin se zgjedhjet e parakohshme mund të vinë vetëm me vullnetin e pozitës, në të kundërtën këto thirrje të opozitës po bëhen vetëm për konsum publik.

LEXO EDHE: Vazhdojnë problemet në mes të 'Vetëvendosjes' dhe GDP-së

Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje, që e mbështet LDK-në në deklarimet për zgjedhje të parakohshme, nuk është e sigurt nëse një gjë e tillë do të ndodhë shpejt.

Ndërkaq GDP-ja këto thirrje po i konsideron joserioze dhe vetëm sa për sy e faqe.

LDK: Partitë politike konfirmuan pjesëmarrjen

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se LDK-ja ka dërguar ftesat për tryezën e përbashkët dhe se shumica nga subjektet kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

“Po, ftesat janë dërguar. Shumica e partive e kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë ai. 

Hoti ka deklaruar se kjo tryezë është e domosdoshme duke pasur parasysh zhvillimet në vend: Krizë institucionale dhe politike, humbje e shumicës parlamentare, mosfunksionim normal i Kuvendit të Kosovës, dështim i funksionimit ligjor dhe kushtetues të institucioneve.

Ai tha se diskutimet në këtë tryezë do të koncentrohen në përgatitjet për zgjedhje të parakohshme dhe adresimi i çështjeve të mëdha për Kosovën.

“Tryeza do të koncentrohet në këto çështje: 1. Në mënyrën sesi do të adresohen çështjet madhore për vendin, siç janë dialogu me Serbinë e reformat për integrim në BE, në të cilat çështje nuk duhet të ketë rivalitet politik tash dhe në të ardhmen, gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë qeverisjes së ardhshme. Dhe përgatitjet e nevojshme teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe demokratike për ta nxjerrë një qeveri stabile dhe të përgjegjshme”, ka deklaruar Hoti.  

PDK: Qeverinë mund ta rrëzojë vetëm pozita

Ndërkaq PDK-ja nuk ka bërë të ditur nëse do të jetë pjesë e kësaj tryeze apo jo.

Nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Qeveria mund të rrëzohet vetëm nëse njëra nga partitë në pozitë e përkrah mocionin e opozitës, në të kundërtën, sipas tij, opozita s’mund të bëjë asgjë.

“Nuk e besoj, por gjithçka mund të ndodhë. Nuk besoj që mund të ketë zgjedhje vetëm në rast se pozita dëshiron ta rrëzojë vetveten, ashtu siç kemi vepruar dy herë më herët, përndryshe opozita nuk ka shanse ta rrëzojë pozitën”, tha ai.

Por Haliti tha se problemi qëndron te Lista Serbe, për të cilën nuk dihet nëse është në pozitë apo në opozitë.

“Problemi është se a janë serbët në pozitë apo në opozitë, këtu është çështja kyçe. Në qoftë se kanë kaluar në opozitë dhe duan ta rrëzojnë Qeverinë, atëherë është e mundshme, në të kundërtën me numrat e opozitës nuk ka gjasa të rrëzohet Qeveria”, tha ai.

I pyetur nëse PDK-ja ka gjasa t’i bashkohet opozitës për rrëzimin e Qeverisë, Haliti tha se PDK-ja nuk ka qenë fare e shqetësuar me këtë çështje.

AAK: Organizimi i tryezës, garë e brendshme e LDK-së  

Ndërkaq deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu në një prononcim për “Zërin” tha se tryeza të tilla janë të mirëseardhura nga kushdo që thirren.

“Nuk e di nëse kemi marrë ftesë, por çfarëdo tryeze që do të thirret nga kushdo është e mirëseardhur në kuptimin e bërjes së reformës, e cila ka vite që nuk është marrë seriozisht në mënyrë që kurdo që të ndodhin zgjedhjet të prodhojnë vlera. Në të kundërtën, sa për agjenda ditore opozitare mund të organizojë kushdo qoftë, edhe LDK-ja në këtë rast, mirëpo nuk është diçka serioze”, ka thënë ajo.

Ndërkaq ajo dha një porosi për shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hotin, duke e këshilluar që të organizojë zgjedhje të brendshme të LDK-së.

“I them Hotit se është mirë që t’i zgjedhë brenda partisë së vetë pretendentët qoftë për kryeministër apo edhe për kryetar të subjektit të tyre, që po shihen në publik e në këtë formë z. Hoti po mundohet të qëndrojë si figurë brenda subjektit të vet, unë këtë e shoh vetëm si një garë të brendshme të LDK-së dhe për të thënë se diçka po ndodh. Në të kundërtën asgjë serioze nuk ka”, ka thënë Haxhiu.

LVV: S’mund të themi që do të ketë zgjedhje shpejt

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka njoftuar për “Zërin” se kjo parti do ta ketë përfaqësuesin e saj në këtë tryezë.

“Po, Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë përfaqësuesin e saj në tryezë. Mirë është të bisedohet dhe pastaj do të shohim se ku do të arrihet, pasi që janë takuar përfaqësuesit e grupeve parlamentare në atë tryezë”, ka thënë ai.

Kurteshi tha se do të ketë zgjedhje të parakohshme, por tha se nuk e di nëse ato do të jenë brenda këtij viti apo jo. “Unë jam goxha i bindur që zgjedhje të parakohshme do të ketë, por nuk po them se a do të jenë shumë shpejt apo jo, por që do të ketë zgjedhje të parakohshme mendoj që e dinë edhe subjektet politike që tani janë në pozitë”, ka përfunduar ai.

GDP: “Zgjedhjet e reja”, vetëm fjalë të LDK-së dhe të LVV-së

Kurse deputetja e Grupit të Deputeteve të Pavarur (GDP), Besa Baftiu, nuk ka treguar nëse GDP-ja do të jetë pjesë e kësaj tryeze.

“Nuk jam e njoftuar nëse kemi marrë ftesë apo jo, në Grupin tonë Parlamentar nuk është biseduar diçka e tillë”, ka thënë ajo.

Thirrjet e LDK-se e të Vetëvendosjes për zgjedhje të parakohshme Baftiu i konsideron vetëm fjalë për konsum publik, pasi siç tha ajo nuk po shohim asgjë konkrete nga asnjëra palë.

“Unë po besoj që LDK-ja në këtë rast, që i është bashkëngjitur edhe Vetëvendosja për zgjedhje të reja, ato kanë qenë vetëm fjalë, ka gati një muaj që e përmendin dhe ende nuk ka ndonjë mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë. Do të duhej që ana e tyre të kishte diçka konkrete në këtë drejtim”, tha Baftiu për “Zërin”.

Kurse njohësi i çështjeve politike dhe ish-shef i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë se mund të ndodhë që të mos ketë zgjedhje këtë vit pasi minimumi i përgatitjeve që duhet të bëhen për zgjedhje janë gjashtë muaj.

“Në qoftë se do të ketë një rishikim të gjendjes reale politike dhe gjendjes në Parlament, atëherë do të duhej domosdoshmërisht të ketë një mirëkuptim mes të gjitha partive politike në mënyrë që të arrihet një marrëveshje, sepse nëse duan zgjedhje përgatitjet minimale duhet të zgjasin 6 muaj. Nëse jo, atëherë nuk di nëse do të ketë rrugë tjetër përveç mocion mosbesimi ndaj Qeverisë”, ka thënë ai.