Kjo është kërkesa e Marko Gjuriqit për Asociacionin

Aktuale April 23, 2018 - 08:00
Kjo është kërkesa e Marko Gjuriqit për Asociacionin

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur përsëri për aksionin e arrestimit të tij në Mitrovicën e Veriut.

“Kam qenë në territorin e shtetit tim, në territorin e Serbisë së Jugut. Kam qenë aty në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel. Për vizitën time atje, unë kam njoftuar 70 orë përpara. Sipas marrëveshjeve të arritura, unë nuk kam nevojë për leje për të hyrë në Kosovë, obligimi im i vetëm ishte të njoftoja institucionet në fjalë për vizitën time”, deklaroi Gjuriq në një intervistë për “EAdaily”.

I pyetur për mënyrat e mundshme të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, Gjuriq deklaroi se ai personalisht nuk beson se autoritetet e Prishtinës do ta formojnë vullnetarisht atë, transmeton lajmi.net.

“Nuk mendoj që shqiptarët e Kosovës do ta formojnë Asociacionin me vullnetin e tyre, e veçanërisht ashtu siç është nënvizuar nga marrëveshjet paraprake të Brukselit. Në anën tjetër Serbët nuk janë të interesuar që të formojnë një Asociacion që do të shkelte interesat e tyre. Serbët janë pro një marrëveshje në pajtim të plotë me marrëveshjet e arritura parprakisht”, ka thënë Gjuriq.

Madje, Gjuriq ka theksuar se sipas marrëveshjes së Brukselit, me formimin e Asociacionit, komunat me shumicë serbe do të vendosin vet se kush udhëheqë me institucionet e zbatimit të ligjit.

“Ne kemi nevojë për këtë lloj Asociacioni në vend të atij që ka shpikur Prishtina”, përfundon Gjuriq.