Pacolli: LDK-ja e luan rolin e opozitës vetëm aty ku nuk janë vetë në pozitë

Aktuale April 22, 2018 - 19:31
Lexo detajet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), se po e luajnë rolin e opozitës vetëm aty nuk janë vetë në pozitë.

Pacolli përmes një postimi në Facebook ka thënë se LDK ditë më parë kishte bojkotuar mbledhjen e Komisionit për Politikë të Jashtme, sepse i propozuar për ambasador në Gjermani ishte kandidati nga Qeveria Haradinaj. Kjo sipas saj ishte arsyetim i LDK-së.

“LDK para disa ditëve kishte bojkotuar mbledhjen e Komisionit për Politikë të Jashtme ku u intervistua kandidati i propozuar nga Qeveria Haradinaj për ambasador në Gjermani, Beqë Cufaj, me arsyetimin se është kundër emërimeve politike të ambasadorëve sepse tashmë përqindja e lejuar e të emëruarve politik është tejkaluar”, ka thënë Pacolli.

Deputetja e VV-së ka thënë se LDK nuk kishte reaguar njësoj kur Behgjet Pacolli e kishte emëruar në pozitën e ambasadorit, Astrit Zemaj, vëllaun e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj.

“Por LDK nuk kishte reaguar njësoj kur Behgjet Pacolli e kishte emëruar në pozitën e ambasadorit në Gjermani, Astrit Zemaj, vëllaun e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, në dhjetor 2017, vetëm disa muaj pas formimit të Qeverisë Haradinaj. Kjo është LDK! Gjithmonë e luan rolin e opozitës vetëm aty ku nuk janë vetë në pozitë”, ka përfunduar Pacolli.