“Gift of Life” u mundëson fëmijëve shërim falas jashtë vendit

Aktuale April 21, 2018 - 17:17
Ky është kriteri që duhet plotësuar!

Doktori Mazllum Belegu, nëpërmjet organizatës “Gift of Life”, tashmë disa vite ua ka mundësuar fëmijëve kosovarë me probleme në zemër të operohen falas në Amerikë.

Ai ka treguar për “Zërin” numrin e fëmijëve të cilët kanë kërkuar shërim jashtë vendit, si dhe kriteret të cilat duhet të plotësohen që fëmijët të marrin këtë trajtim falas.

“Deri më tash janë dërguar në SHBA dhe disa vende tjera me të cilat ka marrëveshje ‘Gift of Life International’. 103 fëmijë dhe tetë të tjerë janë duke pritur ftesën dhe është çështje e ditës kur do të ftohen. Kriteri i parë për pranim është gjendja e keqe financiare e familjes që i përket fëmija. Pastaj kardiologu duhet të diagnostikojë defektin e lindur të zemrës dhe pas kësaj vjen ekipi i ‘Gift of Life International’ bën seleksionimin e atyre që janë dërguar nga kardiologët tanë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në vit zgjidhen 20 deri në 30 fëmijë për trajtim jashtë vendit.

“Prej vitit 2012 ‘Gift of Life International’ (GOLI) çdo vit vjen në misionin për përzgjedhjen e fëmijëve. Kur vijnë, punojnë 5 ditë dhe i kontrollojnë nga 20 fëmijë (shpesh bëhen më shumë, për shkak të interesimit më të madh). Kështu ka qenë vitin e parë. Dy ditët e para janë për t’i kontrolluar fëmijët e operuar, kurse tri ditët tjera për seleksionim të fëmijëve. Zakonisht zgjedhin prej 20 deri në 30 fëmijë. Numri më i madh i dërguar ka qenë në vitin 2012, 27 fëmijë dhe në vitin 2017 kur kanë shkuar 29 fëmijë”, ka thënë ai për "Zërin". 

Belegu ka treguar se projekti do të zgjasë aq sa ka nevojë Kosova për dërgimin e fëmijëve me probleme në zemër jashtë vendit.

Sipas tij, për fëmijët që udhëtojnë për shërim jashtë vendit Ministria e Shëndetësisë i paguan shpenzimet e udhëtimit, shkruan "Zëri.info". 

“Deri më tash Ministria e Shëndetësisë i ka paguar shpenzimet e udhëtimit.

Nëse për shkak të mjekimit të zgjatur më shumë sesa është paraparë në fillim apo më të shpejtë duhet ndërruar biletat e aeroplanit, nëse në buxhetin tonë kemi mjete i paguan organizata jonë ‘Gift of Life Kosova’, nëse nuk kemi mjete (gjë që shpesh ngjan), i paguan familja e fëmijës”, ka deklaruar ai. /Zëri/