GDP: Nëse sigurohen 49 vota për rrëzimin e Qeverisë, do të jemi aty

Aktuale April 21, 2018 - 11:13
DETAJET

Partitë politike pritet të ulen për të diskutuar në një tryezë të përbashkët gjatë të mërkurës së javës që vjen. Përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare (LDK) kanë njoftuar gjatë ditës së djeshme se të gjitha subjektet politike do t’i marrin zyrtarisht ftesat për të qenë në këtë takim, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Sipas tyre, nëse tryeza, e cila ndër të tjera ka për synim që të arrijë dakordim për zgjedhje të parakohshme, dështon, atëherë do t’i nisin procedurat për ngritjen e mocionit të votëbesimit të Qeverisë.

Shqipe Pantina, nga radhët e Grupit të Deputeteve të Pavarur (GDP), ka thënë se ende nuk kanë pranuar ftesë nga LDK-ja, porse ka njoftuar se GDP-ja do ta shqyrtojë dhe do të vendosë lidhur me këtë. “Nëse ka ardhur një ftesë e tillë natyrisht do ta shqyrtojmë si grup. Ne asnjëherë nuk i kemi refuzuar ftesat për të diskutuar për çfarëdo çështje”, është shprehur ajo për “Zërin”.

Duke folur rreth mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme Pantina ka thënë se në momentin që opozita siguron 49 vota të shumicës shqiptare, atëherë edhe GDP-ja do ta japë votën. “Për ta rrëzuar Qeverinë duhen 61 vota dhe unë nuk jam e bindur se opozita i ka 61 vota të mjaftueshme për ta rrëzuar atë. Ne kemi thënë se në momentin që kushdo që merr iniciativë të tillë dhe i ka 49 vota të shumicës shqiptare do t’i ketë edhe 12 votat tona”, ka potencuar ajo./ZËRI