Pozita e opozita përplasen për të gjeturat e Raportit të KE-së

Aktuale April 21, 2018 - 07:59
Detajet

Të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, të publikuara në Raportin për Kosovën, kanë përplasur dje deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partive në pushtet dhe të atyre në opozitë. Deputetët e opozitës kanë shprehur shqetësim për të gjeturat e Raportit duke thënë se situata nuk ka ndryshuar fare prej Raportit të fundit, përderisa zyrtarët qeveritarë kanë deklaruar se ky Raport e ka konfirmuar lajmin e shumëpritur nga qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Hoti: I vetmi sukses që ka theksuar Raporti është Demarkacioni

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se ky Raport qartëson se Qeveria e Kosovës nga shtatori i 2017-s nuk ka dërguar asnjë sinjal bindës në Bruksel se është serioze t’i kryejë obligimet që i ka shteti i Kosovës. “Derisa Raporti i vitit 2016 e përmend polarizimin mes Qeverisë dhe opozitës, që është normale, Raporti i fundit vë në dukje polarizimin brenda vetë koalicionit qeverisës dhe brishtësinë e koalicionit, i cili tanimë ka humbur edhe shumicën e thjeshtë. Kjo brishtësi i ka pamundësuar këtij koalicioni që të ndërtojë një konsensus të përgjithshëm për temat me rëndësisë nacionale në përputhje me agjendën evropiane”, ka thënë Hoti.

Sipas Hotit, Raporti thekson tendencën për t’u ikur obligimeve ndërkombëtare dhe i vetmi sukses që mbetet në këtë Raport është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, i cili sipas Hotit, u përmbush falë angazhimit të LDK-së.

Pacolli: Raporti nuk qartëson rrugën evropiane

Fitore Pacolli, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se është shqetësues fakti se si Raporti nuk e qartëson rrugën evropiane të Kosovës. “Raporti për vendin, i cili u publikua para katër ditëve, nuk duhet të trajtohet vetëm si një dokument i cili skanon dhe paraqet gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shteti ynë, por si një dokument përmes të cilit ne fillojmë seriozisht të shqyrtojmë rrugën dhe marrëdhënien kontraktuale, shtetërore të Kosovës me Bashkimin Evropian”, tha Pacolli.

Sejdiu kritikon ish-partinë e tij
 

Deputet i GDP-së, Dardan Sejdiu, ka kritikuar debatin e iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me Raportin e Progresit për Kosovën. Sipas tij, ka deputetë që ende nuk e kanë lexuar këtë Raport sepse nuk është përkthyer nga Qeveria e Kosovës. Ai duke folur për këtë Raport ka thënë që janë neglizhuar deputetët të cilët nuk janë njohës të gjuhës angleze e të cilët duhet të presin më shumë se 10 ditë nga Qeveria e Kosovës që ta përkthejë. “Ka deputetë të cilët kanë pasur mundësi ta lexojnë Raportin, pasi e dinë gjuhën angleze dhe ka të tjerë që duhet të presin datën 26 prill, sepse Qeverisë së Kosovës i duhen 10 ditë apo më shumë për ta përkthyer një raport 90 faqesh. Në fakt ka shumë prej nesh që janë ekspertë të fushës, por në mungesë të dijes së gjuhës angleze nuk mund të shpërfaqin qoftë kritika, qoftë rekomandime sa i përket rrugës përpara nesh”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, debati për këtë Raport është i hershëm dhe po e nënvlerëson Raportin si të tillë. “Edhe te ne si Grup Parlamentar ka deputetë që nuk e kanë lexuar Raportin, ashtu siç ka në të gjitha partitë tjera sepse ka deputetë që nuk e dinë gjuhën angleze dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur ta lexojnë atë. Ne me këtë debat po e zhvlerësojmë këtë Raport dhe po ia humbin rëndësinë që e ka”, ka theksuar Sejdiu.

Hoxhaj: Së shpejti do të vijë ekipi i BE-së për vizat

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, duke folur në emër të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se Raporti i Progresit për Kosovën konfirmon lajmin e shumëpritur nga qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave. “Ky Raport e konfirmon lajmin e shumëpritur nga qytetarët për liberalizim të vizave. Këtu ka një paragraf, i cili thotë që ‘falë kalimit të Demarkacionit me Malin e Zi dhe përmirësimit në luftën kundër krimit dhe të korrupsionit Kosova ka një vlerësim pozitiv sa i takon liberalizimit të vizave”, theksoi Hoxhaj.

Ai ka konfirmuar se së shpejti në Kosovë do të vijë një ekip nga BE-ja që do të shkruajë një raport shtesë për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave. “Pas 10-12 ditësh do të ketë një ekip nga BE-ja i cili do të vijë në Kosovë. Ata do ta shkruajnë një raport shtesë dhe do të ofrojnë një pamje të plotë për atë se ku jemi me procesin e liberalizimit të vizave, por ajo që mund t’ju them është që në institucionet e BE-së ka një vendosmëri të plotë që ta mbështesin Kosovën për liberalizim të vizave në vendet e zonës Shengen”, tha Hoxhaj.

Haradinaj: Seanca, e hershme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pas disa mungesave në Parlamentin e Kosovës dje i është bashkëngjitur seancës, në të cilën po flitej për Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën. “Nuk i ikim Parlamentit, nuk jemi në shtëpi sikur është thënë sot. Kjo seancë është kërkuar dje për sot dhe Qeveria ka obligime që i merr. Unë po vij nga një takimi me NATO-n, e këto janë takime që organizohen me muaj përpara”, ka thënë Haradinaj duke iu adresuar kritikave të deputetëve që ai nuk ishte pjesë e këtij debati.

Ndërsa diskutimin për Raportin e Progresit Haradinaj e quajti të gabuar sepse ende nuk është analizuar mjaftueshëm. “Ftesa për një seancë të shpejtë për Raportin e Progresit është gabim sepse një Raport i tillë e kërkon një analizë më serioze dhe duhet t’ia lini një proces edhe Qeverisë, edhe vetes për këtë Raport. Nuk e kuptoj çka është dallimi nëse e mbajmë sot këtë seancë, apo javën e ardhshme?”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa duke folur për Raportin e Progresit Haradinaj nuk ka komentuar Raportin në përgjithësi, por vetëm ka përmendur të gjeturat kryesore./ZËRI