S’ka zgjedhje, partitë ulen për bisedime

Aktuale April 21, 2018 - 07:53
Ja kur do të ulen për bisedime partitë politike

Minimale janë gjasat që këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend. Megjithatë, drejtuesit e partive politike javën tjetër pritet të ulen në një tryezë të organizuar nga partia më e madhe opozitare (LDK-ja) për të diskutuar për këtë çështje. Analistët politikë vlerësojnë se zgjedhjet mund të mbahen vitin tjetër, pasi këtë vit pritet të nisin temat e mëdha si: Gjykata Speciale, Asociacioni i Komunave Serbe, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Partitë politike pritet të ulen për të diskutuar në një tryezë të përbashkët gjatë të mërkurës së javës që vjen. Përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare (LDK) kanë njoftuar gjatë ditës së djeshme se të gjitha subjektet politike do t’i marrin zyrtarisht ftesat për të qenë në këtë takim. Sipas tyre, nëse tryeza, e cila ndër të tjera ka për synim që të arrijë dakordim për zgjedhje të parakohshme, dështon, atëherë do t’i nisin procedurat për ngritjen e mocionit të votëbesimit të Qeverisë. Megjithatë, përfaqësuesit e partive në koalicion janë shprehur të vendosur se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje. Shumica e partive politike kanë vlerësuar se duhet marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LDK-ja.

Përfaqësuesit e partive politike në Kosovë kanë thënë për “Zërin” se ende nuk i kanë shqyrtuar ftesat, porse janë pro tryezave, në të cilat diskutohet për rrugëzgjidhje të çfarëdo problemi. Në anën tjetër, njohësit e proceseve politike kanë vlerësuar se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi deputetët në radhë të parë duan ta përmbushin mandatin e tyre të plotë, i cili kërkon dy vjet më së paku. Sipas tyre, këtë vit do të dominojë themelimi i Asociacionit, liberalizimi i vizave, i ushtrisë e i Gjykatës Speciale.    

LDK: Nëse tryeza dështon, e ngremë mocionin

Se tryeza e përbashkët e partive politike, ku do të diskutohet edhe për zgjedhjet e parakohshme, do të mbahet të mërkurën gjatë ditës së djeshme ka njoftuar Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së. “Ne sot i dërgojmë ftesat tek të gjitha partitë politike në Kosovë për tryezën, e cila do të mbahet të mërkurën në Kuvendin e Kosovës. Tryeza do të koncentrohet në dy çështje: se si do të adresohen çështjet madhore për vendin, siç është dialogu e reformat për integrim; e dyta nga kjo tryezë duhet të dalë dakordimi i partive për përgatitjet teknike që duhet të ndodhin për organizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Hoti.

Por, po qe se dështon një iniciativë e tillë, atëherë sipas Hotit LDK-ja menjëherë do t’i nisë procedurat për ngritjen e mocionit.

PDK: Jemi për tryeza, por zgjedhje s’do të ketë

Megjithatë Elmi Reçica, deputet i PDK-së, është shprehur i bindur se nuk do të ketë zgjedhje përgjatë këtij viti.

I pyetur nga “Zëri” nëse PDK-ja do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LDK-ja, Reçica ka thënë se ende nuk e kanë diskutuar një gjë të tillë, porse ka bërë të ditur se PDK-ja është pro tryezave për të gjetur zgjidhje për çështje të ndryshme. “Nuk kam marrë ende ftesë, nuk jam në dijeni, por sapo ta marrim ftesën do ta kemi qëndrimin tonë. Përndryshe, kudo që dialogohet për të gjetur zgjidhje më adekuate për çështjet që janë në interes të qytetarëve PDK-ja do të jetë aty”, ka theksuar ai.

LVV: Besojmë që do të jemi të pranishëm

Pro tryezave për diskutim është deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse ende nuk ka pranuar ftesën, deputetja e këtij subjekti Albulena Haxhiu ka konsideruar se duhet shkuar në takimin e së mërkurës. “Sigurisht se ne presim që zyrtarisht ta kemi ftesën e Grupit Parlamentar të LDK-së. Pastaj duhet ta trajtojmë në organet e Lëvizjes Vetëvendosje. Unë mendoj që duhet shkuar në këtë takim dhe qëndrimi ynë do të jetë në raport me atë që vendi ka nevojë të shkojë në zgjedhje sa më parë”, ka theksuar ajo gjatë një bisede për “Zërin”.  

Megjithatë, sipas Haxhiut, qasja e LDK-së sa i përket kërkesës për zgjedhje është hipokrite për faktin që LDK-ja po bën ftesë për zgjedhje e në të njëjtën kohë po flet për qeveri teknike.

AAK-ja e Nisma: LDK-ja nuk është serioze

Kurse deputeti i AAK-së Bekë Berisha, i ka konsideruar si aspak serioze veprimet e fundit të LDK-së. “LDK-ja ka probleme të mëdha të organizimit të brendshëm. Nuk është serioze”, ka deklaruar ai. Sipas tij, ajo çfarë po bën LDK-ja ka të bëjë kryekëput me shaka.

Ndërkohë deputeti i Nismës Socialdemokrate Enver Hoti ka thënë se ky subjekt ende nuk e ka shqyrtuar ftesën e LDK-së për të marrë pjesë në tryezën e partive politike.

E sa u përket zgjedhjeve, Hoti ka konsideruar se nuk është momenti i duhur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. “LDK-ja nuk i ka kërkesat serioze dhe nuk mendoj që është momenti i duhur që vendi të shkojë në zgjedhje”, ka potencuar ai.  

GDP: Nëse sigurohen 49 vota për rrëzimin e Qeverisë, do të jemi aty

Në anën tjetër Shqipe Pantina, nga radhët e Grupit të Deputeteve të Pavarur (GDP), ka thënë se ende nuk kanë pranuar ftesë nga LDK-ja, porse ka njoftuar se GDP-ja do ta shqyrtojë dhe do të vendosë lidhur me këtë. “Nëse ka ardhur një ftesë e tillë natyrisht do ta shqyrtojmë si grup. Ne asnjëherë nuk i kemi refuzuar ftesat për të diskutuar për çfarëdo çështje”, është shprehur ajo për “Zërin”.

Duke folur rreth mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme Pantina ka thënë se në momentin që opozita siguron 49 vota të shumicës shqiptare, atëherë edhe GDP-ja do ta japë votën. “Për ta rrëzuar Qeverinë duhen 61 vota dhe unë nuk jam e bindur se opozita i ka 61 vota të mjaftueshme për ta rrëzuar atë. Ne kemi thënë se në momentin që kushdo që merr iniciativë të tillë dhe i ka 49 vota të shumicës shqiptare do t’i ketë edhe 12 votat tona”, ka potencuar ajo.

AKR: Jemi gjithmonë për tryeza

E kryetari i Kuvendit të AKR-së Fatmir Matoshi ka thënë se ky subjekt do të ulet të bisedojë pas pranimit të ftesës nga LDK-ja lidhur me atë nëse do të marrë apo jo pjesë në tryezën e thirrur. “Nuk kemi marrë ftesë ende, por nëse vjen ftesa, atëherë sigurisht se ulemi, diskutojmë dhe marrim një qëndrim. Në parim, AKR-ja është gjithmonë për tryeza”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, sipas Matoshit, koalicioni i ka numrat dhe nuk ka rrezik për zgjedhje të parakohshme.

Duke i komentuar paralajmërimet për zgjedhje Rasim Alija, hulumtues në “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka konsideruar se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Përkundrazi sipas tij, ky vit do të jetë vit i përfundimit të disa çështjeve të mëdha: themelimi i Asociacionit, i ushtrisë, liberalizmi i vizave dhe i Gjykatës Speciale.

“Pasi të marrin udhë këto çështje dhe pasi kjo legjislaturë e Kuvendit t’i kalojë 2 vjet punë, ka shumë gjasa që ky koalicion qeverisës të përfundojë dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, ka deklaruar Alija.

Kurse duke folur rreth opsionit që deputetët nuk duan zgjedhje, pasi nuk u llogaritet mandati pa i bërë 2 vjet, Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka thënë se kjo nismë është hedhur poshtë nga Kushtetuesja. “Para disa vitesh, kur ishte diskutuar çështja e pensioneve suplementare për deputetët e Kuvendit të Kosovës, ishte parashtruar edhe ideja e llogaritjes së mandatit të plotë vetëm pas kalimit të dy vjetëve, përkatësisht gjysmës së mandatit. Mirëpo, kjo iniciativë ishte hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar ai.