Baraliu: Qeveria s’mund ta mandatojë Presidentin

Aktuale April 20, 2018 - 18:36
Ja çfarë thotë ai tutje

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një bisedë për “Gazeta Blic”, ka folur për Platformën shtetërore për finalizimin e dialogut me Serbinë. Ai ka potencuar se nuk është në kompetencën e ekzekutivit të mandatojë Presidentin për të udhëhequr dialogun me Serbinë.

Baraliu ka kritikuar Qeverinë për formimin e një platforme të tillë, që sipas tij, nuk përmban problemet, të cilat do të duhej të prezantoheshin në Bruksel.

Ai ka thënë se brenda kësaj platforme, paraprakisht, do të duhej një debat publik me shoqërinë civile.

“Sigurisht që nuk është platformë e duhur, nuk përmban problemet, të cilat duhet të prezantohen atje dhe që të ketë një epilog për ato probleme. Me një fjalë ato do të duhej të ishin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo të diskutohet për çështje irelevante, periferike, terciare. E dyta vërejtje ose dëshirë për të inkorporuar brenda në një platformë serioze do të duhej të ishte një debat publik që do të duhej të zhvillohej paraprakisht me shoqërinë civile, në opinionin publik”, ka thënë Baraliu.

Madje, ai, ka kritikuar Qeverinë për përzgjedhjen e personave, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë dialog.

“Kjo Qeveri, jo që nuk është e gjithëdijshme si gjitha qeveritë e tjera, por, fatkeqësisht, është një Qeveri, e cila përbëhet nga një makijazh të rehatimit të njerëzve, performancës së tyre dhe të aleatëve që janë brenda këtij koalicioni. Me fjalë të tjera, kështu siç është nisur kjo platformë nuk është adekuate, gjithëpërfshirëse, për të prezantuar tani në Bruksel, interesat konsesuale të gjithë Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Baraliu ka sugjeruar që platforma së pari të diskutohet në Kuvend, para se të nisë dialogu mes dy presidentëve. Mirëpo, sipas tij, sikurse gjitha temat tjera edhe platforma dialogut vetëm formalisht do të kalojë në Kuvend.

“Ajo edhe ashtu është e dizejnuar nga Qeveria. Deklaruan që do ta dërgojnë në Kuvend, madje, për çudi, edhe në projektin e platformës ishte emri i Kryetarit të Kuvendit që është për çudi të ndodhë një gjë e tillë, dhe, po, patjetër duhet të shkojë në Kuvend, por, e keqja është se asnjë rezolutë në Kuvend, që është vendosur për të diskutuar, edhe për bisedat në Bruksel, edhe për çështjen e demarkacionit, ekzekutivi nuk i ka respektuar, as rezolutat e Kuvendit dhe rendin dhe, siç duket edhe çështja e diskutimit të platformës në Kuvend është më tepër formale sesa esenciale. Por, do të duhej që në mënyrë paraprake të ketë debat të gjerë, sepse, në bazë të këtyre premtimeve, kjo Qeveri ka ardhur në pushtet, duke propozuar dhe proklamuar një ndryshim thelbësor të platformës dialoguese dhe të një konsensusi paraprak. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ”, ka deklaruar, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Baraliu, është shprehur i zhgënjyer me përzgjedhjen e deritashme të ekipit të Presidentit për dialog, që siç thotë ai, nuk ka përgatitje të mjaftueshme për përfaqësim.

Sipas tij, nuk mjafton të ketë përfaqësues të partive politike, por, duhet të ketë ekspertë të fushave shkencore, profesionale, të cilët i njohin mirë çështjet e dialogut.

“Çdo shtet normal dhe serioz, në marrëdhëniet diplomatike, në aranzhmanet e ndryshme që bëhen për çështje kaq vitale dhe delikate të brendshme, do të duhej, që të paktën, jo të ketë vetëm përfaqësues të subjekteve politike në ekip, siç ka ndodhur në Vjenë dhe siç po ndodh tani edhe në Bruksel, por, do të duhej që ekspertët e fushave, pa dallim partie, të gjithë spektrit shkencor, profesional, të jenë të pranishëm aty dhe jo të veprohet si më herët, si nga qeveritë e mëhershme.

Kjo Qeveri, duke e kundërshtuar mënyrën e të bërit dialog dhe negociata, sepse, këto janë negociata puro politike dhe diplomatike me Serbinë, të vazhdojë të njëjtën rrugë duke dërguar njerëz që asnjëherë në jetën e tyre, një natë – se jo një ditë, s’e kanë kaluar në diplomaci dhe nuk kanë dije profesionale, shkencore dhe, aq më pak politike. Përvoja të tilla janë të nevojshme për dialog të tillë”, nënvizoi Baraliu.

Baraliu mendon se ekipi duhet përbërë nga kuadro me orientim kombëtar dhe jo njerëz gjithfarë.

“Ata njerëz që kanë dije, asnjëherë nuk ftohen e as nuk inkorporohen prej këtyre ekipeve. Prandaj, do të duhej një ekip gjithëpërfshirës nga njerëzit e dijës, të mendjes dhe të përvojës e jo politik. Kuadrot, në këtë ekip institucional, duhet të jenë kredibil dhe me orientim kombëtar, pra patriotik dhe jo njerëz të proveniencave gjithfarë”, ka thënë Baraliu.

I pyetur nëse Qeveria mund ta mandatojë Presidentin për të udhëhequr këtë dialog, Baraliu ka thënë se jo. Një gjë e tillë nuk është e mundur pasi që Presidenca, respektivisht, Presidenti, është organi kryesor i një shteti.

“Kjo është gabim. Nuk mund të ndodh një gjë e tillë. Organi kryesor, në fakt, reprezentativ në botën e jashtme dhe prej unitetit institucional është pikërisht Presidenca, respektivisht Presidenti. Në këtë rast, në bazë të nenit 83 dhe veçanërisht nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i ka të gjitha kompetencat që ta përfaqësojë vendin jashtë dhe politiken e jashtme, prandaj, me fjalë të tjera, edhe të përfaqësojë Kosovën në këto negociata. Prandaj, kjo nuk është kompetencë e ekzekutivit të mandatojë Presidentin”, tha ai për Gazeta Blic.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për Platformën shtetërore për finalizimin e dialogut me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Qeveria thotë se e ka miratuar këtë platformë, duke qenë e përkushtuar për të ndërtuar paqe në rajon, për marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetet e rajonit dhe duke rikonfirmuar se Kosova respekton marrëveshjet ndërkombëtare.

Me këtë platformë, Kosova insiston që dialogu të mbyllet me Marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, përmes së cilës duhet të ketë njohje reciproke mes dy shteteve. Aty Presidenti autorizohet të zhvillojë bisedimet për arritjen e Marrëveshjes ligjore.

Ky është dokumenti i plotë:

Duke qenë të përkushtuar për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në rajon, dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit,

Duke marr parasysh unitetin politik që ekziston në Kosovë për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në OKB, në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO,

Duke rikonfirmuar se Republika e Kosovës respekton marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke njohur rëndësinë e zbatimit të tyre në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e saj;

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar propozimin për Platformën shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve, e cila i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim të mëtutjeshëm:

Platformën shtetërore

Për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve

Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një Marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, përmes së cilës duhet të ndodhë njohja reciproke ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se nënshkrimi i Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial.

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështetë fuqishëm rolin lehtësues të BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, si dhe garantimin e zbatimit të tërësishëm të saj.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se Marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht e obligueshme do t’i mundësojë Republikës së Kosovës anëtarësimin në OKB, dhe në të gjitha organizatat tjera relevante ndërkombëtare në të cilat nuk është anëtarësuar.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson që Marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht e obligueshme do ta përshpejtojë thellbësisht procesin e anëtarësimit të Kosovës në Paktin NATO dhe në BE.

Kuvendi i Republikës së Kosovës konfirmon që Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Delegacioni i Kosovës që do të krijohet në koordinimin me të gjithë spektrin politik, në respektim maksimal të unitetit politik në vend, janë të autorizuar të zhvillojnë bisedimet për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme.

Delegacioni i Kosovës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në bazë të rrethanave dhe nevojave që do të kërkohen prej BE-së do të mund të përfaqësohen edhe nga përfaqësuesit e tjerë të institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës obligohet që t’i raportojë në baza të rregullta Kuvendit të Kosovës, për rrjedhat e dialogut në mes të Delegacioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoritetit suprem i cili do të ratifikojë Marrëveshjen ligjore ndërkombëtarisht të obligueshmendërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.