Pacolli: Një Kosovë në Interpol, është shërbim për një rajon të sigurt

Aktuale April 20, 2018 - 17:35

Ministër i Mbrojtjes së Bullgarisë, Krasimir Karakachanov, deklaroi sot se Sofja zyrtare do të vazhdojë bashkëpunimin reciprok dhe mbështetjen për Kosovën.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me shefin e diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, me të cilin ka biseduar për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve duke shfrytëzuar korridorin 8.

Me këtë rast, Pacolli e falënderoi bashkëbiseduesin e tij për mbështetjen bullgare që nga fillimi i shtet-formimit të Kosovës.

“Ne e kishim zgjidhje të vetme për të siguruar ekzistencën tonë, shpalljen e pavarësisë dhe ju ishit të parët që e njohët, në një ndërmarrje të vështirë. Pres nga Bullgaria mikpritje të plotë për Kosovën në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Pacolli.

Në lidhje me këtë, ai i kërkoi numrit dy të qeverisë bullgare ndërmjetësim kundrejt vendeve fqinje, që nuk e kanë njohur Kosovën, ashtu si dhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Një Kosovë në Interpol, është shërbim për një rajon të sigurt”, tha ministri Pacolli,  kërkesë që gjeti miratimin e plotë të bashkëbiseduesit.

Vizita e ministrit të Jashtëm,  Behgjet Pacolli, vijoi me një takim me drejtuesit e Lëvizjes për Liri dhe të Drejta (DPS), homologe e AKR-së në Bullgari, aleatë brenda Internacionales së partive liberale evropiane. /Telegrafi/