Dardan Sejdiu kritikon ish partinë e tij, Vetëvendosjen

Aktuale April 20, 2018 - 13:19
Lexo detajet

Ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tanimë deputet i GPD-së, Dardan Sejdiu ka kritikuar debatin e sotëm të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me Raportin e Progresit për Kosovën.

Sipas tij ka deputet që ende nuk e kanë lexuar këtë raport, sepse nuk është përkthyer nga Qeveria e Kosovës raporton “Zëri.info”.

LEXO EDHE: Konjufca: Raporti i Progresit e vlerëson Kosovën si “e dobët”, dhe “në hapat e parë”

Ai duke folur për këtë raport tha që janë neglizhuar deputetët që nuk janë njohës të gjuhës angleze, e të cilët duhet të presin më shumë se 10 ditë nga Qeveria e Kosovës që ta përkthej këtë raport.

“Ka deputet që kanë pasur mundësi të lexojnë raportin për vendin që e dinë gjuhën angleze, dhe ka të tjerë që duhet të presin datën 26 sepse Qeverisë së Kosovës i duhen 10 ditë apo më shumë për të përkthyer një raport 90 faqesh. Në këso lloj situate mendoj që nuk i bëjmë nder diskutimit për të gjeturat e këtij raporti për vendin”, tha Sejdiu.

Sipas tij ka deputet që sot vetëm do të dëgjojnë atë që thonë deputet që e kanë lexuar tashëm raportin, por ka vetëm një numër  të vogël të deputetëve që mund të diskutojnë për këtë raport, raporton tutje “Zëri.info”.

“Edhe tek ne si grup parlamentar ka deputet që nuk e kanë lexuar, ashtu sic ka në të gjitha partitë tjera, sepse ka deputet që nuk e dinë gjuhën angleze dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur të lexojnë atë. Ne me këtë debat po e zhvlersojmë këtë raport, dhe po ia humbin rëndësinë që e ka”, theksoi Sejdiu.

Pas këtyre kritikave, Sejdiu vazhdoi të diskutoj për të gjeturat e këtij raporti, duke thënë që edhe në vitin 2019 do të lexojmë për temat e njëjta./ZËRI/