Haliti: Asociacioni me kompetenca ekzekutive, i papranueshëm

Aktuale April 20, 2018 - 12:12
Lexo detajet

Megjithëse 20 prilli ishte paralajmëruar si data kur serbët e Kosovës njëanshëm do të formonin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ata janë tërhequr nga ky veprim pasi institucionet e Kosovës kanë themeluar një grup punues, i cili do të merret me hartimin e statutit të Asociacionit, shkruan "Zëri.info". 

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë që Vuçiq ka marrë mesazh të qartë nga Bashkimi Evropian.

“Vuçiq ka marrë mesazh të qartë nga Bashkimi Evropian se cili është problemi i Kosovës dhe cili është problemi i Serbisë për të filluar procesi i tyre në integrimin e BE-së. Nuk mund të shkohet në BE me probleme dhe duhet të luftojmë për të mos pasur probleme në mes vete”, ka thënë Haliti për “Zërin”.

Ndërsa për kërkesën e serbëve që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive Haliti ka thënë që kjo gjë është e papranueshme për shtetin e Kosovës.

“Dëshira e Serbisë për të pasur një Republikë Serbe dhe një institucion siç po e quajnë serbët Asociacionin me kompetenca ekzekutive nuk mund të jetë i pranueshëm për Kosovës, sepse kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, si dhe BE-ja ka dalë me qëndrim të qartë për këtë çështje, që nuk ka mundësi të ketë një Asociacion me kompetenca ekzekutive edhe pse një marrëveshje e paharmonizuar mirë në Kosovë është nënshkruar, por si e tillë nuk është pranuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nga institucionet e Kosovës”, ka theksuar Haliti. /Zëri