Kritikohet Qeveria për mosfunksionim, reforma zgjedhore e nevojshme

Aktuale April 20, 2018 - 12:07

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, në një prononcim për gazetën “Zëri” e ka kritikuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës  për mosfunksionalitet.

“Në kushte të funksionimit të mirë të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës do të duhej të angazhohemi që reforma zgjedhore, e domosdoshme në disa segmente, të përmbyllet si proces dhe pastaj të organizohen zgjedhje në të cilat edhe do të mundë të implementoheshin ndryshimet e bëra”, ka thënë Dushi.

Sipas tij, reforma zgjedhore është e nevojshme sepse ajo është derivat i Pakos së Ahtisaarit dhe me këtë reformë do të evidentoheshin problemet e zgjedhjeve të kaluara, shkruan tutje "Zëri.info". 

“Që nga aprovimi dhe hyrja në fuqi e ligjeve (2008) në Kosovë janë mbajtur disa zgjedhje, të përgjithshme apo lokale, prandaj edhe institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve (KQZ), shoqëria civile, vëzhguesit ndërkombëtarë (të BE-së), por edhe vetë subjektet politike kanë arritur të identifikojnë një numër të lëshimeve që duhet të evitohen me ndryshime të legjislacionit aktual dhe kjo ndikonte pozitivisht në sistemin zgjedhor”, ka thënë ai.

Tutje, Dushi ka deklaruar se kjo reformë do të përfshinte aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.

“Aspektet që ndërlidhen me fushatën zgjedhore, organizimin e zgjedhjeve dhe sidomos çështjet që kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë gjatë numërimit të votave, saktësisht gjatë përpilimit të rezultateve. Do të jenë pjesë e kësaj reforme”, ka shtuar ai. /Zëri

 

Edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Betim Xhoshi, reformën zgjedhore e konsideroi si nevojë urgjente për vendin.

“Është koha optimale që Kuvendi i Kosovës të shkojë me reformë zgjedhore. Disa herë kam apeluar te Kuvendi i Kosovës që puna e parë që duhet të bëhet janë reformat zgjedhore, nxjerrja e ligjeve të reja që rregullojnë fushën e partive politike, si dhe financimin e tyre”, ka thënë Xhoshi.

Sipas tij, vonesat të cilat janë bërë do të ndikojnë në procesin e ardhshëm zgjedhor.

“Çdo ditë e humbur na sjell pengesa që Kosova të përgatitë zgjedhje sa më të mira. Duhen minimalisht dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, gjashtë muaj të përfundojë pakoja e ndryshimeve të ligjeve zgjedhore që institucionet implementuese të këtyre ligjeve të familjarizohen me to dhe të bëjnë zbatimin e tyre”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”