OVL e UÇK-së reagon ndaj manipulimeve me listat e veteranëve

Aktuale April 20, 2018 - 11:53
Lexo detajet

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një njoftimi për media u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që sa më parë t’i vë para drejtësisë ata që kanë manipuluar me listat e veteranëve, transmeton “Zëri.info”.

“OVL UÇK është kundër fushatës së mediave dhe individëve të caktuar, që përmes rasteve individuale të njollosin të gjithë veteranët e luftës së UÇK-së. Përgjegjësia penale është individuale dhe të gjithë ata që kanë kryer vepra, duhet të përgjigjen para ligjit, pavarësisht se çfarë kategorie të qytetarëve i takojnë”, thuhet në njoftimin e tyre.

OVL UÇK ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunoj me prokurorinë e shtetit, për të hetuar dhe zbardhur të gjitha rastet e manipulimit me listat e veteranëve. Mirëpo, është kundër dhe dënon fushatën mediale dhe fyrjet që i bëhen organizatës dhe kryetarit të saj Hysni Gucati.

‘Kryetari Gucati është njeri i dëshmuar në luftë, në të cilën dha edhe gjymtyrët e tij. Ai funskionin e tij si kryetar i Organizatës së Veteranëve, e ushtron në bazë të zgjedhjes demokratike, nga një kuvend i përgjithshëm me delegatë të të gjitha degëve. Fyrjet dhe cilësimet nga ana e Vehbi Kajtazit, se drejtuesit e OVL UÇK-së që nga paslufta e deri te Hysni Gucati janë idiotë, për organizatën janë të papranueshme e të dënueshme dhe kërkojmë nga mediat dhe pronarët e tyre që të përmbahen nga kualifikimet e ulta të tyre, sepse këta në rend të parë janë në kundërshtim me etikën profesionale dhe sjelljet normale të një qytetari të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Kryetari i OVL UÇK-së është deklaruar se nuk ju beson organeve të drejtësisë së EULEX-it.

“Ky mosbesim ka ardhur pas ngritjes së shumë akuzave ndaj pjesëtarëve të UÇK-së që nuk janë provuar para gjykatave të Kosovës, dhe vet deklaratat e ish gjyqtarëve të EULEX-it siç ishte Malcolm, i cili zbuloj para opinionit skenarët e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it për të dënuar e komprometuar ushtarët e UÇK-së. Kurse, sa i përket ngritjes së akuzës së fundit, thërras opinionin që të jenë më të arsyeshëm dhe kjo gjë t’i lihet organeve kompetente e jo portaleve, të cilat siç duket nuk duan që të zbardhet dhe fitoj drejtësia por vetëm se kush më tepër përfiton klikime përmes përhapjes së shpifjeve, trillimeve dhe të pavërtetave.  /Zëri/